SHBA mbështesin qeverinë e re palestineze

03/06/2014 00:00

Pavarësisht shqetësimeve të Izraelit, se qeveria palestineze e unitetit mund të ndikohet nga Hamasi, organizatë terroriste në sytë e shtetit hebre dhe Amerikës, Uashingtoni deklaroi se do ta mbështesë kabinetin e ri e se, madje, synon të bashkëpunojë me të.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, sqaroi se qeveria e Fatahut dhe Hamasit do të gjykohet nga veprimet që do të ndërmarrë, duke përfshirë këtu edhe angazhimin kundër dhunës apo njohjen e Izraelit.

“Qëllimi ynë është të punojmë me këtë qeveri, duke e vëzhguar njëkohësisht nga afër për t’u siguruar se i zbaton parimet e përsëritura nga presidenti Abbas. Aktualisht, duket se presidenti palestinez ka krijuar një kabinet të përkohshëm teknokratësh, i cili nuk përfshin ministra të lidhur me Hamasin. Ndihma amerikane për qeverinë palestineze do të vazhdojnë, edhe pse ne do t’i shqyrtojmë me vëmendje politikat dhe qëndrimet e ekzekutivit të ri”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e DASH.

Betimi i qeverisë së unitetit u bë të hënën, pas një marrëveshjeje pajtimi me Hamasin. Fatahu i Abbas-it dhe lëvizja islamike kanë qeverisur ndarazi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në shtatë vitet e fundit, dhe qeveria e unitetit shënon një hap të rëndësishëm përpara drejt fashitjes së mosmarrëveshjeve të thella mes dy fraksioneve.

Izraeli, ndërkohë, këmbëngul të mos negociojë me qeverinë e re, pikërisht për shkak të përfshirjes së Hamasit, që është zotuar për shkatërrimin e shtetit hebre.

Top Channel