Obama, vizitë në Poloni

03/06/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama pritet të vizitojë Poloninë ku do të zhvillojë bisedime mbi krizën në Ukrainë. Lajmi është publikuar nga BBC-ja.

Obama pritet gjithashtu të përsëris mbështetjen e SHBA-ve për aleatët e saj të NATO-s në Europë dhe të mbajë nën presion Rusinë mbi rolin e saj në krizë.

Në muajin prill, SHBA-të dërguan 150 ushtarë në Poloni në mes të tensioneve në rritje me Moskën.  Vizita e Obamës në Poloni është pjesë e një turneu europian, në të cilin ai do të zhvillojë vizita edhe në Belgjikë dhe Francë.

Në Belgjikë, udhëheqësi amerikan pritet t’i bëjë thirrje liderëve perëndimorë për të afirmuar pozicionin e tyre në mbështetje të Ukrainës gjatë takimit të G7-ës. Samiti ishte planifikuar të mbahej në Rusi, por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia liderët europianë vendosën për bojkotimin e tij.

Në Francë, Obama do të marrë pjesë në ceremoninë e 70 vjetorit të ndërhyrjes në Normandi në Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu edhe Putin ishte i ftuar, por Shtëpia e Bardhë tashmë e ka bërë të qartë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë nuk do të zhvillojnë bisedime dypalëshe.

Uashingtoni ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Moskën se do të përballet me sanksione të reja nëse nuk do të ndihmojë në uljen e tensioneve në Ukrainë.

Gjatë ditës së hënë qindra separatistë pro-rusë sulmuan postën kufitare ukrainase pranë qytetit Luhansk, qytetit lindor të Ukrainës, ku mbetën të vdekur edhe 7 persona.  

Top Channel