NATO diskuton për Ukrainën

03/06/2014 00:00

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet të diskutojnë për herë të parë ndikimin afatgjatë në fushën e sigurisë të veprimeve ruse në Ukrainë.

Një zyrtar i vjetër i NATO-s, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se ministrat e Mbrojtjes mund të marrin vendime thelbësore në lidhje me Rusinë, para samitit të vendeve anëtare të parashikuar për në shtator në Britani.

Marrëdhëniet mes NATO-s dhe Moskës u rënduan pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në muajin mars.

Autoritetet e Aleancës deklaruan se ditën e hënë zhvilluan bisedime me ambasadorin rus në NATO, Alexander Grushko, me të cilin u shkëmbyen pikëpamje të ndryshme mbi situatën.

“Vendet anëtare të NATO-s përsëritën qëndrimin e tyre të fortë dhe të qartë lidhur me aneksimin ilegjitim të Krimesë”, deklaroi zëdhënësja e Aleancës, Oana Lungescu.

“Ata e bënë të qartë se nuk do ta njohin aneksimin. Ata komentuan zgjedhjet në Ukrainë, duke i cilësuar si një votë të pastër për unitetin e vendit dhe i bënë thirrje Rusisë që të angazhohet në mënyrë konstruktive me presidentin e zgjedhur”, deklaroi Lungescu.

Gjithashtu, Aleanca i kërkoi Rusisë që të respektojë angazhimet ndërkombëtare, të ndalë furnizimin me armë përtej kufirit dhe mbështetjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Ndërsa i dërguari i Rusisë në Bruksel kërcënoi se Rusia do t’i jepte fund traktatit të bashkëpunimit me NATO-n. “Moska mund të dalë nga Akti Themeltar dhe të marrë masa ushtarake”, tha Grushko.

Top Channel