Deklarata e djeshme e Patriarkut serb, Irinej, solli deklarata dhe reagime të shumta. Për të biseduar për këtë çështje, por edhe për edhe për ceremoninë e shenjtërimit të Katedrales në Tiranë ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” analisti dhe ish kreu i Kulteve, Ilir Kulla, i cili ka thënë se Irinei është munduar të japë një mesazh force për politikën e brendshme në Serbi.

Pandi Gjata: Deklarata e Irinejit në Tiranë solli shumë reagimi, në Kosovë, por pati edhe deklarata nga Kryeministri Rama dhe ish-Kryeministri Berisha. Si mund ta komentoni të gjithë këtë histori?
 
Ilir Kulla:
Është në vijimin e qëndrimeve ekstremiste që Kisha Ortodokse Serbe ka mbajtur në 25 vitet e fundit dhe ka qenë nga faktorët kryesorë të vënies së “zjarrit” të ish-Jugosllavisë dhe të shkatërrimit të saj. Në fillim ka pasur konflikte me Klerin Katolik në Kroaci dhe në Slloveni dhe më tej edhe në konflikte të tjera ku shquhet ai i Bosnjes me 250 mijë të vrarë dhe ai i Kosovës me rreth 15 mijë të vrarë. Kemi të bëjmë me klerikun kryesorë të Kishës Serbe. Nga Tirana Irinej është munduar të japë një mesazh force për politikën e brendshme në Serbi.  

Pandi Gjata: Deklaratat e Ramës, por edhe të Berishës, a mund të kishte edhe më shumë se aq?

Ilir Kulla: Nuk mund të kishte më shumë. Më duket korrekte që Rama ka bërë të qartë se nëse dikush ftohet si mik në një ditë feste, ka gjetur ditën e gabuar që t’i hedh benzinë zjarrit, për shkak se është shembulli më i keq. Shembulli pozitiv është ai i Shqipërisë ku bashkëjetesa fetare ka bërë të kundërtën e asaj që ndodhi në ish-Jugosllavi. 25 vite më përpara Jugosllavia ka qenë një nga vendet e pasura dhe me një frymë ultra nacionaliste dhe fetare të Kishës Serbe ata shkatërruan vendin e tyre.

Pandi Gjata: Reagimet më të mëdha kanë qenë ato në rrjetet sociale, madje kishte edhe nga ata që deklaruar që Irinej duhet të shpallet nga Tirana zyrtare person ‘non grata’.

Ilir Kulla: Jemi në demokraci, njerëzit janë të lirë të thonë atë që duan. Në Kosovë ka zgjedhje dhe jemi vetëm një javë përpara tyre dhe besoj që nuk duhet t’i jepet aq shumë rëndësi dikujt që nuk ka aq shumë rëndësi. Irinej nuk ka pikën e rëndësisë në Shqipëri, ka bërë një akt provokues.

Pandi Gjata: Po t’i referohemi deklaratës kur tha se ‘tashmë në një realitet të ri qendra e patriarkanës nuk ndodhet më në shtetin e Serbisë, por në një shtet tjetër’. Kjo deklaratë nëse mund të lexohet me nëntekstin e saj, a është edhe njohje e pavarësisë së Kosovës?

Ilir Kulla: Është një njohje defakto e pavarësisë, por mendoj që jemi në rastin kur edhe klerikët e Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe historianët e në të dy shtetet le të bëjnë një punë kërkuese, shkencore në raport me origjinat e kishave, të ashtuquajtura serbe në Kosovë, të cilat kanë qenë kishat e vojvodëve shqiptarë në ato vise në mesjetë. Megjithatë unë mendoj që feja edhe mund të ndajë nëse përdoret politikisht siç është përdorur në ish-Jugosllavi, por edhe mund të bashkojë siç është përdorur në Shqipëri. Kërkimi mbi rrënjët e atyre kishave mund të nxjerri fakte që edhe një pjesë e atyre në Maqedoni që pretendojnë se janë maqedonas mund të jenë shqiptarë.

Pandi Gjata: Kur i referohemi politikave që ka pasur Kisha Greke, ajo Serbe apo edhe Ruse, a është momenti që jo vetëm Kisha Ortodokse, por edhe ajo Katolike apo Komuniteti Mysliman të kenë një rol më protagonist mbi çështjen kombëtare?

Ilir Kulla: Këto shembuj që ju përmendet shpesh kanë qenë negativ apo kanë çuar në humbjen e besimit. Mendoj që kontributi i madh i Imzot Kristofor Kisit, themelues i Kishës Ortodokse, të Visarion Xhuvani, figura të harruara nga historia dhe të masakruara nga regjimi komunist, Duke i dhënë më shumë rol Imzot Nolit, i cili më shumë ka qenë politikan se sa klerik. Këto figura kanë luajtur një rol të madh në historinë e besimeve dhe të shtetit shqiptar. Aktiviteti i djeshëm, ku për herë të parë u mblodhën të gjithë krerët e Kishës Ortodokse nëpër botë është njohja faktike e Kishës Ortodokse një autoqefali shumë e vuajtur, e kontestuar rëndë nga grekët dhe pas shumë negociatave të Ahmet Zogut dhe të kryepeshkopit Kristofor Kisi në 1938 është arritur njohja e pavarësisë së kësaj kishe. Në 1949 regjimi komunist kërkoi ta vinte nën kontroll Kishën Ortodokse dhe Kristofor Kisi thuhet se është vrarë nga Sigurimi i Shtetit në atë kohë. Ringritja e kishës natyrisht nuk mund të kalonte pa debate dhe ai kryesore ka qenë i lidhur me shtetësinë dhe me kombësinë e Kryepeshkopit. Anastasi Janullatos është grek, këtë e dimë të gjithë, por ai ka lënë pasus shqiptarë, të cilët pas ndarjes së tij nga jeta do të marrin drejtimin e Kishës. Atëherë ne do të shohim nëse këta do të jenë pasardhës të denjë të Kristofor Kisit, Xhuvanit apo Nolit. Mendoj që shqetësimet e disa politikanëve apo grupeve në Kosovë nuk mund të bëhen në raport me Shqipërinë pasi ajo e ka treguar shumë mirë se çfarë ka bërë në raport me çështjen kombëtare dhe me Kosovën në vitet 1998-99.  Banalizimi i debateve shpesh bëjnë edhe krijimin e konfrontimeve publike, por jetojmë në kohën e rrjeteve sociale. Irinej në fund të fundit ka bërë një politik për Serbinë, e cila nuk i ndryshon gjërat as në kontekstin kosovar dhe as në atë të Shqipërisë. Kisha Ortodokse Shqiptare duhet të bënte më shumë për shqiptarët ortodoksë në Maqedoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA