Basha: Rama të dialogojë me grevistët

03/06/2014 00:00

Kreu i opozites paraqiti një panoramë të zymtë politike, duke veshur Kryeministrin Rama me përgjegjësite e dikujt që nga njëra anë kërkon të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër as të mos zbatojë vendimet e gjykatave për qytetarët dhe as të mos mbajë premtimet e dhëna.

Zoti Basha i cilësoi cinike qendrimet e Kryeministrit për dy grevat e urisë që po mbahen në Tiranë dhe për të cilat kërkohetndërhyrjaeqeverisë.

“I bëj thirrje sërish qeverisë të vendosë menjëherë dialogun me të dyja grevat, të shqyrtojë me pa vonesë dhe realizëm natyrën e kërkesave të punonjësve të larguar nga puna dhe të reflektojë konform ligjit  ndaj tyre, të përballet me të përndjekurit politikë, të shpjegohet me ta për premtimet e dhëna me zë dhe figurë dhe mbajtjen e tyre”, tha Basha.

Njësoj të zymtë kreu i opozitës paraqiti edhe situatën ekonomike në vend, kur foli për rënie të të ardhurave krahasuar me parashikimin e vetë qeverisë, për rënie të investimeve krahasuar me qeverinë e demokratëve, për rënie të shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit, rënie këto që sipas opozitës, nuk duhet të ekzistonin për shkak të rritjes së taksave.

“Në bazë të normës së re të ardhurat nga tatim-fitimi duhej të ishin rritur minimalisht në masën 50 përqind, në fakt janë rritur 23 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ishte në fuqi  taksa e sheshtë. Çka ndodhur? Ku është 27 përqindëshi? Evazion dhe korrupsion qeveritar, rënie dhe tkurrje ekonomike. Ky është shpjegimi. E gjithë kjo e shoqëruar me më pak vende pune, më pak punësim, më pak të ardhura për individët dhe familjet, më shumë vështirësi, varfëri dhe mjerim për qindra-mijëra familje që ushqehen nga sektori privat”, deklaroi kreu i PD.

Pas disa javësh e përqendruar tek cështja e narkotrafikut, me sa duket Partia Demokratike i është rikthyer përditshmërisë opozitare me fokus tek ekonomia e qytetarëve dhe premtimet e mazhorancës.

“Kjo është tabloja e zymtë e përkeqësimit, e rënies, e mekjes  se pandalshme të ekonomisë në qeverisjen Rama-Meta, që do të  vazhdojë të mbetet në qendër të opozitarizmit tonë të mbështetur në shifra, fakte dhe argumente bindese. E ashtuquajtura “Rilindje” është tashmë një tallje me gjithë shqiptarët, që refuzojnë të mashtrohen me gënjeshtra e të ngopen me lugën bosh të rilindjes së vetdemaskuar si rrena më e madhe në historinë e Shqipërisë demokratike”, u shpreh Basha.

PS kundër Bashës për ekonominë
“Po shlyejmë borxhet e Berishës, po rriten të ardhurat dhe eksportet

Partia Socialiste reagoi ndaj deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha për ekonominë, duke thënë se ndryshe nga qeveria e kaluar, që e zhyti vendin në borxhe, qeveria aktuale po e kthen atë në kursin e duhur.

“E vërteta është ndryshe, krejt ndryshe. Mjafton t’i referohemi tre shifrave kryesore: Numri i të punësuarve të formalizuar në Shqipëri është shtuar me 30 mijë vetë. Paketa e re fasone dhe qasja e re në fshat janë duke hapur çdo ditë vende të reja pune”, deklaroi deputetja Olta Xhaçka në një komunikim me mediat.

Ajo tha gjithashtu se, Shqipëria në muajin prill eksportoi mbi 10% më shumë se një vit më parë, në kohën kur qeveriste opozita e sotme. “Në mars eksportuam 6.6% më shumë se marsi i 2013. Që do të thotë se në vendin tonë prodhohet më shumë dhe eksportohet më shumë”, theksoi Xhaçka.

Sipas saj, deri tani janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe që qeveria e kaluar, sot në opozitë, u kishte sipermarrësve vendas. “Por sigurisht, zoti Basha për borxhet nuk flet, pasi deri dje pretendonin se borxhet nuk ekzistonin. Kurse në realitet borxhi i krijuar nga qeveria e zotit Basha dhe Berisha ishte plot 720 milionë dollarë”, tha Xhaçka.

“Që ekonomia po ecën në rrugën e duhur, këtë e konfirmon edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, të dyja institucione të cilave iu është rikthyer besimi tek qeveria shqiptare”, shtoi Xhaçka. 

Top Channel