Ata kanë rreth 20 vite që nuk fluturojnë… Dikur ishin krenaria e aviacionit shqiptar, duke patrulluar qiellin me avionët më të shpejtë, që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, Mig 19 dhe 21.

Pasi dolën në pension, pilotët veteranë u tërhoqën në jetën e tyre private, por pasioni për fluturimin nuk mori fund kurrë. Ish-Koloneli 76-vjeçar, Gëzdar Veipi është i emocionuar teksa kujton kohën kur ishte pilot aktiv…

“Unë jam një veteran i aviacionit gjuajtës, kapës dhe bombardues. Karrierën e fluturimin e kam lënë në moshën 50-vjeçare, siç ishte ligji atëherë. Kështu që e kam ndërprerë fluturimin që prej fillimit të vitit 1988. Duke parë e menduar, mund të derdhim edhe lotë, megjithatë nuk e kam pasur të vështirë të ndahem”, shprehet Gëzdar Veipi, pilot veteran.

Sot, “veteranët e ajrit” kanë ardhur në aerodromin e Kukësit, për të provuar sërish të njëjtat emocione si dikur. Për më të moshuarin e grupit është ndjesi e veçantë të hipë në avion, pas gati 26 vitesh. Piloti që i shoqëron është Kolonel Sokol Çunaj, një tjetër ushtarak me shumë përvojë.

“Unë jam një pilot 32-vjetësh në fluturim me të gjitha tipet, edhe me avionë supersonic, edhe me helikopterë. Deri më tani kam fluturuar me rreth 15 tipe avionësh e helikopterësh. Sot është një ditë e veçantë, sidomos për mua, sepse, përveç fluturimit që kryejmë për kënaqësinë tonë, kemi përzgjedhur një pjesë të pilotëve që janë në rezervë, pilotë që kanë fluturuar edhe me Mig 21 apo Mig 19, me avionë supersonic. Më jepet rasti t’i përmend, është një plejadë, një brez i shkëlqyer pilotësh, gjë që ne duhet ta vazhdojmë këtë traditë të mrekullueshme që kemi dhe ta çojmë, pse jo, edhe më tej. Prania e tyre më mbush me emocione, sepse janë ish-instruktorët e mi, ndërsa unë jam tani në pozicionin që mësoj të tjerët, por ky është kalimi i stafetës brez pas brezi”, u shpreh Sokol Çunaj, pilot aktiv.

E veçanta e fluturimit është se avioni CH-701 është model amerikan, por që është ndërtuar në Shqipëri deri te pjesët më të imta.

“Janë dy ekzemplarë të tillë. Ky, pasi është montuar në Shqipëri, nga inxhinierë të stafit tonë, ka përmbushur një ëndërr të shumë pilotëve shqiptarë, unë jam vetëm një përfaqësues modest i tyre, për të pasur edhe ne avionë të vegjël sportivë, me të cilët plotësojmë dëshirën tonë të fluturimit, kohën e lirë”, theksoi më tej piloti Sokol Cunaj.

Ngjarja, që të gjithë mbajne mend nga ky grup, është padyshim ajo e 17 Korrikut 1967. Një avion jugosllav F-84 futet në hapësirën ajrore shqiptare dhe, pas manovrave në ajër, detyrohet të ulet në tokë shqiptare nga Kolonel Gëzdar Veipi, i cili u dekoruar për aktin heroik.

Edhe pse Mig-ët nuk fluturojnë më, veteranët janë të ndërgjegjshëm që koha e lavdisë së tyre është shkruar në librin e historisë së aviacionit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA