Ilir Yzeiri – Ditën e diel në Shqipëri u kremtua një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për komunitetin ortodoks, por edhe më gjerë akoma, sepse shenjtërimi i katedrales ortdokse “Ngjallja e Krishtit” ka një simbolikë të shumëfishtë.
Në atë ceremoni morën pjesë hierarkët më të lartë të Kishës Ortodokse nga e gjithë bota dhe në Tiranë ndodhej gjithashtu edhe Tërëshenjtëria e tij Patriarku Ekumenik Bartolemeu I. Kjo ngjarje do të duhej të ishte në vëmendjen e madhe të opinionit dhe ekspertë të traditës, të historisë, të filologjisë, të fesë gjithashtu do të duhej të diskutonin në këtë ditë të madhe për Kishën Ortodokse Shqiptare, sepse ky ishte një rast mjaft i mirë për të përballur edhe njëhere problematikën e nxehtë që kanë sidomos institucionet e drejtimit të Kishës Ortodokse në Shqipëri. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom me mediatizimin mediokër dhe primitiv, mediat u përfshinë më shumë te një lajm tjetër, te takimi i padëshirueshëm i të gjithë politikanëve “armiq” shqiptarë në ambientin e Kishës. Ndjekja me figurë e mbërritjes së drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, duke filluar nga Meta, Rama, Nishani apo Basha, të kujtonte kronikat e televizionit të dikurshëm shqiptar që numëronte udhëheqësit e lavdishëm të partisë e të shtetit që zinin vend në tribunën e nderit. Këtë radhë kishte një ndryshim. Ata që zinin vend në radhën e parë të Kishës ishin mes tyre “armiq” të betuar, sepse në krah të Ilir Metës ulej Lulëzim Basha dhe në krah të Edi Ramës ulej Bujar Nishani. Ky ishte kulmi i raportimit edhe nga ndonjë televizion serioz që, për fat të keq, është bërë pjesë e mdeiokritetit dhe pasqyrimit folklorik të asaj që ndodh në Shqipëri. Ndërkaq, jashtë vëmendjes së publikut mbetën shumë pikëpyetje. Edhe unë nuk do të isha kujtuar për to sikur të mos më kishte ngacmuar intervista e peshkopit të Kishës serbe Jirenej, i cili, në thelb, tha se me shqiptarët kemi jetuar historikisht bashkë, por Kosova është e shenjtë për Serbinë. Në anën tjetër, Hirësia e tij Janullatos foli në greqisht. Këto dy shenja janë bartëse të një mesazhi të vjetër që lidhet me një kohë të caktuar historike dhe që, për fat të keq, që të dyja bashkë janë shenjat e semiotikës së mohimit të shqiptarësisë, qoftë si hapësirë kulturore, qoftë edhe si territor. Këto dy mesazhe negative për shqiptarët të çojnë prapa në kohë dhe lidhen me dy platforma etnocentriste që lulëzuan në shekullin XIX dhe që u denoncuan më së pari edhe nga Dora D’Istria, kampionia e mbrojtjes së Kishës së Lindjes. Në më shumë se një rast, sidomos pas vitit 1866, kur lufta ruso-turke po arrinte kulmin, ajo kishte vënë re pansllavizmin dhe pangjermanizmin ashtu si dhe panhelenizmin. Në letërkëmbimin e saj me De Radën ajo mendonte se kleri ka një rol të rëndësishmë në zgjimin e popullit dhe në ngritjen e tij kultuore. Në Shqipëri këtë mision e kishin kryer më së mirë prelatët katolikë të Veriut, sipas saj dhe këtu ajo përmendte sidomos martirin e Kishës sonë katolike Pjetër Bogdanin. Madje, në një vend ajo i shpreh mendimin De Radës se për ndërtimin e Shqipërisë europiane që, sipas saj, do të duhej të ishte e krishterë dhe si kryeqendër të kishte Shkodrën, priftërinjët e ritit lindor shqiptar do të ishte mirë që të ktheheshin në ritin perëndimor dhe kështu Kisha shqiptare të unifikohej dhe të drejtohej nga priftërinj katolikë të ritit perëndimor që ajo i vlerësonte si më të përgatitur sesa ata ortodoksë. Ndërsa për muslimanët ajo mendonte me naivitet se ata do të bindeshin që të ktheheshin në fenë e të parëve pasi t’u shpjegohej se feja islame nuk ishte e tyrja. Ky vështrim i Dora D’Istrias që proklamohej në vitin 1866 ishte utopik dhe nuk mbante në vështrim atë që kishte ndodhur pas vdekjes së Skënderbeut në gati treqind e ca vjet në habitatin shqiptar, pjesë e Perandorisë Otomane. Një gjigand tjetër i kulturës dhe veprimit shqiptar, Fan Noli e kuptoi këtë shqetësim të Dora D’Istrias dhe duke qenë më realist, bëri një zgjidhje tjetër. Ai u vesh prift, u shuguarua si i tillë dhe ndërtoi Kishën Ortodokse Shqiptare në mënyrë që shqiptarët ortodoksë të mos ndjeheshin grekë ose që Greqia të mos shpallte që çdo ortodoks në Epir është edhe grek. Zonat martire të Sulit apo të arvanitasve që kishin si kult besimin kristian dhe që identifikoheshin me të më parë se me kombin, janë një rast rhizomatik në historinë shqiptare dhe nuk janë studiuar nga pikëpamja e antropologjisë historike ashtu siç duhet. Konflikti i tyre me Ali Pashën krijoi paradigmën fatale të përçarjes gegë-toskë. Kjo përçarje kishte si target grup pikërisht këto dy pjesë të shqiptarëve. Fan Noli, ky profet i shqiptarizmës u dha shqiptarëve ortodoksë institucionin e tyre të besimit. Ai pasoi punën e nisur nga Kristoforidhi për kthimin në shqip të teksteve fetare dhe liturgjive gjithashtu. Sot Kisha Ortodokse Shqiptare e ka humbur identitetin e saj. Ajo është nën ombrellën e Kishës Ortodokse të Greqisë dhe administrohet prej saj. Nuk është thjesht kombësia e personit që ndodhet në krye të Kishës sonë ajo që përbën problem. Sepse ka pasur edhe më parë shqiptarë në krye të Kishës Ortodokse që ishin më fanatikë progrekë se vetë grekët. Ajo që na shqetëson nga pikëpamja e idnetitetit është humbja e Autoqefalisë, humbja dhe shkatërrimi i veprës së Nolit. Kisha Ortodokse përbëhet nga disa pjesë dhe aty ishin hierarkët e lartë të të gjitha vendeve që e kanë këtë besim. Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: në qoftë se riti lindor është grek dhe përfaqësohet nga greqishtja përse peshkopi i Polonisë, i Rumanisë, i Serbisë, i Bullgarisë nuk meshon greqisht dhe përse ata kanë të drejtë të kenë Kishën e tyre dhe ne duhet të jemi nën Kishën Ortodokse greke. Një përgjigje është ajo sipas së cilës ato kombe e kanë ndërtuar Kishën e tyre vetë. Por edhe ne e ndërtuam dhe Fan Noli u bë shembull në këtë sipërmarrje. Mirëpo, sot, si të mos mjaftonte kjo, edhe Kryepeshkopi serb deklaroi një tekst të vjetër, një platformë për një ndeshje të vazhdueshme. Duke thënë se Kosova është e shenjtë për Serbinë ai praktikisht tha se serbët nuk do të reshtin asnjëherë nga përpjekjet për ta rifituar atë. Ndërsa Hirësia e Tij, z. Janullatos, duke meshuar greqisht, i bindi të gjithë hierarkët e lartë të Kishës Ortodokse se Kisha Greke sundon edhe mbi shqiptarë. Ndërka të gjithë e dimë se çfarë po ndodh me përhapje e fanatizmit islamik këtu dhe në Kosovë. Kjo na jep të drejtën të mendojmë se shqiptarët sa i takon brendisë së identiteti të tyre janë kthyer në shekullin XIX dhe nuk interesohen më për institucionet shpirtërore të besimit. Kulti i tyre është bërë paraja dhe emigracioni. Ashtu si dikur që kulti i tyre ishte merecenarizmi dhe për fat të keq emigracioni po ashtu. Dhe gjithë ky spektakël bëhej para udhëheqjes më të lartë të partisë dhe të popullit shqiptar, do të thoshte kronika e dikurshme e televizioni shqiptar, të cilët, megjithëse në luftë të vazhdueshme, sot ishin bashkë dhe mediat ndjeheshin shumë të lumtura nga ky amrëpushim. Ky është vendi folklorik dhe pa memorie në të cilin gjallijnë shqiptarët. Aferim u qoftë…Amin!
Top Channel