Nga Agron Hetoja: Tashmë është bërë publikisht i njohur fakti që i gjithë sektori i energjisë në Shqipëri është përfshirë në një situatë të vështirë financiare dhe funksionale si rrjedhojë e akumulimit të detyrimeve të ndërsjella midis aktorëve të këtij tregu (CEZ Shpërndarje, KESH, OST, prodhuesit e pavarur të energjisë). Normalizimi i situatës së vështirë financiare të KESH kërkon qëndrueshmëri në marrëdhëniet kontraktuale midis KESH dhe CEZ Shpërndarje, sa i takon pagesës së detyrimeve nga ana e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH për energjinë që kjo e fundit lëvron për të mbuluar nevojat e klientëve tariforë. Kjo qëndrueshmëri krijon mundësitë për normalizimin e marrëdhënieve kontraktuale midis KESH dhe HEC-eve koncesionarë dhe atyre të privatizuara (prodhuesve të pavarur të energjisë) sa u takon detyrimeve që KESH duhet të shlyejë për energjinë e blerë nga këta prodhues energjie, si dhe me furnitorët e tjerë të shoqërisë për shërbimet dhe punimet e kryera për KESH.
Modeli aktual i tregut dhe kuadri përkatës rregullator kanë zgjidhur aspektet formale të marrëdhënieve mes operatorëve, por nuk garantojnë funksionalitetin e tij, sepse i gjithë risku hidrologjik dhe shërbimet mbështetëse përballohen nga KESH. Kanë kaluar 6 vjet që nga miratimi i modelit të tregut dhe sot ky model po jep sinjalet për dobësitë që ka dhe po tregon se pjesëmarrësit e tregut nuk kanë stimuj për të rritur performancën e tyre dhe se eficenca e sektorit nuk ka shënuar rritje përgjatë këtyre viteve. Pavarësisht entuziazmit me të cilin duhen përshëndetur dhe inkurajuar investimet në burime të rinovueshme të energjisë, zbatimi i paketës së tretë legjislative të ECS-së (Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë) kërkon “çlirimin” gradual të gjeneruesit publik nga funksionet e furnizimit publik me shumicë.
Për arsyet e lartpërmendura është e domosdoshme që tregu i energjisë elektrike të rimodelohet dhe shkëmbimi i energjisë dhe shërbimeve në këtë treg të komercializohet. Nevojitet gjithashtu hartimi i një programi të qartë për instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burimet e rinovueshme të energjisë, i kombinuar me plan të mirëfilltë për rritjen e eficensës së energjisë për të gjithë sektorin energjetik. Këto ndryshime rrënjësore kërkojnë pjesëmarrjen aktive dhe konstruktive të të gjithë aktorëve të sektorit të energjisë elektrike, kërkojnë ndryshime thelbësore në ligjin primar për sektorin e energjisë elektrike dhe më tej, në të gjitha aktet rregullatore. Këto ndryshime ligjore, të shoqëruara me reformën tarifore, nën detyrimin për të adoptuar kërkesat e direktivave të BE-së për energjinë, do të mundësojnë liberalizimin e tregut sipas synimeve të parashikuara në traktatin e komunitetit të energjisë.
Administrata e KESH po punon në një platformë shumëplanëshe (strategjike-taktike-operative) për ta transformuar Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare në një shoqëri publike tregtare, ekonomikisht eficiente, nëpërmjet ripozicionimit të saj në tregun vendas të energjisë, në mënyrë të tillë që, krahas përmbushjes me përgjegjshmëri të funksionit të saj publik (furnizim pa ndërprerje të klientëve tariforë), partneritetin me operatorët e tjerë të tregut, Shoqëria ta ndërtojë mbi bazën e përfitimeve reciproke në një treg të liberalizuar, të ndershëm dhe transparent. Për këto arsye, një nga risitë e ristrukturimit institucional, organizativ dhe teknik të shoqërisë KESH që po zbatohet gjatë këtyre muajve të fundit, është edhe ngritja e një divizioni të veçantë që po udhëheq vizionimin dhe jetësimin e administrimit eficient dhe proaktiv të shoqërisë brenda kuadrit aktual rregullator dhe ndërkohë nën një këndvështrim strategjik po analizon rrugë dhe alternativa të ndryshme që mundësojnë daljen e shoqërisë nga situata e vështirë institucionale dhe financiare në të cilën ndodhet sot, kryesisht si rrjedhojë e mosfunksionimit të modelit aktual i tregut të energjisë.
Nxjerrja e KESH nga situata e vështirë financiare në të cilën ndodhet aktualisht, si dhe transformimi i saj në një shoqëri publike ekonomikisht eficente kërkon domosdoshmërisht rishikimin e kuadrit rregullator dhe ndërtimin e një modeli të ri tregu.
Në bashkëpunim dhe konsultime me aktorët e tjerë të sektorit, KESH ka identifikuar 5 ndërhyrje/përmirësime prioritare në kuadrin aktual ligjor/rregullator nëpërmjet të cilave KESH do të adresojë problematikën aktuale me të cilën po përballet aktualisht dhe do të mund të fillojë procesin e komercializimit të veprimtarisë së vet. Ndërhyrjet prioritare të propozuar nga KESH shkurtimisht janë:
Zvogëlim i detyrimit të KESH për të lëvruar energjinë elektrike te CEZ Shpërndarje për mbulimin e kërkesës së klientëve tariforë.
Sipas kuadrit rregullator në fuqi, KESH/Furnizuesi Publik me Shumicë, furnizon Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (CEZ Shpërndarje), me energji elektrike për plotësimin e kërkesës së konsumatorëve tariforë në nivelin e tensionit të mesëm dhe të ulët. Në vitin 2012, klientët e lidhur me tensionin e lartë u detyruan të blinin energji elektrike në tregun e lirë. Edhe pse ky veprim shënoi liberalizimin e pjesshëm të tregut të energjisë elektrike, KESH nuk ishte në gjendje që detyrimin e reduktuar (14% me pak) ndaj FPP (Furnizuesi Publik me Pakicë) ta shndërronte proporcionalisht në rritje të arkëtimeve të tij, për shkak të privatizimit të 4 HEC-eve (Ulëz, Shkopet, Bistrica 1-2, me fuqi totale të instaluar prej 78 MWh).
KESH është gjerësisht i varur nga performanca tekniko-financiare e CEZ Shpërndarje, meqenëse ky i fundit është i vetmi klient i tij. Vetëm në raste të prurjeve të larta në kaskadë, për periudha të shkurtra kohe, KESH mund të gjenerojë të ardhura shtesë nga shitja e energjisë me çmime të parregulluara.
Eksperienca e viteve të fundit tregon se një pjesë të energjisë që lëvrohet nga KESH për mbulimin e kërkesës së klientëve tariforë, shkon për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, ndaj edhe në këto raste KESH vuan mospagesat për energjinë e shitur me çmime tregu, përveçse për energjinë që shitet me çmime të rregulluara. Sidoqoftë, nën kushtet probabilitare të prodhimit të KESH, duhet të krijohet mundësia që ky i fundit të mund të marrë pjesë direkt në procedurat mujore të CEZ Shpërndarje për blerjen e energjisë, në rastet e periudhave të favorshme hidrike, pa cenuar detyrimin për të përmbushur kërkesën e klientëve tariforë.
Liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë elektrike në Shqipëri është i nevojshëm në mënyrë që të krijohen kushtet për diversifikimin e portofolit të KESH-it dhe forcimin e pozicionit të tij financiar. Ligji primar për energjinë, që është duke u përgatitur duhet t’i paraprijë reformimit të sektorit të energjisë elektrike duke çliruar gradualisht KESH nga detyrimi si furnizues i vetëm me energji elektrike për mbulimin e kërkesës së klientëve tariforë. Ky liberalizim duhet të udhëhiqet nga praktikat më të mira europiane dhe të zbatohet me disa faza të cilat mund të jenë: i) gjatë vitit 2015 KESH duhet të çlirohet nga detyrimi për furnizim me energji elektrike duhet të konsumatorëve (industrial) të lidhur me tensionin e mesëm, ii) ndërsa gjatë vitit 2016, si detyrim i KESH-it për furnizim me energji elektrike duhet të konsiderohet vetëm kërkesa e klientëve të lidhur në tension të ulët. Sidoqoftë mund të diskutohen variante të ndryshme të periudhës tranzitore të përshtatjes me ndryshimet e tregut drejt liberalizimit. Gjatë periudhës tranzitore që do të nevojitet për hapjen e tregut, duhet të përcaktohet pjesëmarrësi i tregut që do të mbajë detyrimin si “furnizues i alternativës së fundit”.
Transferimin e detyrimit për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga PVE-të/PPE-të nga KESH /FPSH te CEZ Shpërndarje:
Kuadri aktual rregullator detyron KESH (në funksionin e Furnizuesit Publik me Shumicë) që për një periudhë 15-vjeçare, të blejë të gjithë energjinë elektrike të prodhuar nga HEC-et me kapacitet të instaluar deri në 15 MW, me çmime preferenciale (mesatarisht rreth 9 lekë/kWh) bazuar në kontratën tip të miratuar nga ERE.
PVE-të (të lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes) dhe PPE-të (të lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit) e prodhojnë energjinë elektrike nëpërmjet derivacionit, duke mos pasur mundësi reale për planifikimin e saj. Shumica e prodhimit të këtyre operatorëve lëvrohet në sistemin elektro-energjetik, në të njëjtën periudhë kohore që u korrespondon prurjeve të konsiderueshme në kaskadën e lumit Drin. Në këto kushte dhe bazuar në çfarë ka ndodhur në të kaluarën, në disa raste, KESH është detyruar (nga kuadri aktual rregullator) të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga këta operatorë (si rrjedhojë e prioritetit në prodhim dhe tregtim që kuadri rregullator u jep PVE-ve/PPE-ve), pavarësisht se në të njëjtën periudhë kohore ka qenë i detyruar që të shkarkojë ujë nga HEC-et në administrim të tij.
Gjatë periudhës 2012 – 2014, prodhuesit e vegjël prodhuan mbi 1,2 miliard kWh energji elektrike më shumë nga sa ishte parashikuar dhe reflektuar në tarifën e shitjes me shumicë prej 2.2 Lek/kWh të miratuar nga ERE për KESH/Furnizuesit Publik me Shumicë për periudhën 2012 – 2014. Blerja e kësaj sasie energjie elektrike, si detyrim ligjor, shkaktoi për KESH një kosto shtesë prej afërsisht 10 miliardë lekë (ose afro 70 milionë euro) të pareflektuar në tarifën e shitjes me shumicë.
Detyrimi i vendosur nga kuadri aktual rregullator për KESH që të blejë energjinë nga këta prodhues, përveçse është një barrë financiare që përkeqëson likuiditetet e shoqërisë (nën kushtet e mospagesës së faturave të energjisë nga ana e CEZ Shpërndarje), por kufizon tej mase mundësinë për të optimizuar prodhimin në kaskadën e Drinit dhe përmirësuar portofolin ekonomik të saj.
Pavarësisht përpjekjeve dhe punës që po bën Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, aktualisht humbjet janë të larta (mesatarisht mbi 200,000 MWh në muaj) dhe do të vazhdojnë të jenë relativisht të larta edhe në 2-3 vitet e ardhshme. Ndërkohë, PVE-të dhe PPE-të aktualisht prodhojnë mesatarisht afro 90,000 MWh në muaj dhe në 2-3 vitet e ardhshme ky prodhim parashikohet që do të arrijë në 150,000 MWh në muaj. Meqë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të blejë në treg energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve dhe për sa kohë që sasia e energjisë që prodhohet nga PVE-të dhe PPE-të është me e vogël se sasia e energjisë që i nevojitet Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të mbuluar humbet në rrjet, është logjike që energjinë që prodhojnë PVE-të dhe PPE-të ta blejë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe KESH/Furnizuesi Publik me Shumicë të çlirohet nga detyrimi ligjor i sotëm që përveçse është në kundërshtim me çdo logjike tregtare dhe ekonomike, është dhe në kontrast me praktikat europiane.
Nëpërmjet këtij ndryshimi (që u paraprin ndryshimeve thelbësore që sektori i energjisë elektrike në tërësi duhet të pësojë nga fillimi i 2015 e tutje) KESH do të çlirohet nga presioni financiar për të paguar faturat për energjinë e prodhuar nga PVE-të, PPE-të, të cilët injektojnë energjinë elektrike direkt në rrjetin e shpërndarjes.
Përcaktimi i mekanizmave nxitës për prodhimin e tepërt të energjisë elektrike nga KESH:
Në pikën 4,2 të Modelit aktual të Tregut Shqiptar të energjisë elektrike, përcaktohet që “Të gjitha përfitimet neto nga kapaciteti hidro vendas ruhen për klientët tariforë”. Bazuar në këtë dispozitë, alternuar edhe me mosmiratimin nga ERE të mekanizmave nxitëse në këtë kuptim, tarifa e KESH/FPSH rezulton të jetë reduktuar ndjeshëm ndër vite dhe kjo si rrjedhojë e reduktimit të ndjeshëm të tarifës së KESH-Gen.
Në funksion të komercializimit të veprimtarisë së KESH dhe në përputhje me misionin dhe mandatin e KESH të parashikuar në Statutin e Shoqërisë KESH, është e nevojshme që çdo e ardhur shtesë që KESH do të realizojë si rrjedhojë e shitjes së energjisë elektrike të prodhuar mbi planifikimin/nevojat e klientëve tariforë, të mos korrigjohet në tarifat e viteve pasardhëse, por të vendosen/ruhen në një fond të veçantë për të blerë energji në treg gjatë viteve të disfavorshme hidro-energjetike (prodhimi i energjisë elektrike është nën mesataren shumëvjeçare), dhe/ose për të ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.
Në këtë mënyrë bëhet e mundur që këto të ardhura shtesë të shkojnë në përfitim të klientëve tariforë nëpërmjet tarifave të qëndrueshme në kohë dhe/ose nëpërmjet shtimit të kapaciteteve gjeneruese. Në këto kushte, gjykohet si mjaft jetik ndërtimi i burimeve të reja energjetike, të cilat do të mundësonin rritjen e sigurisë energjetike, uljen e varësisë nga importi etj.
Për të jetësuar këtë masë, është e nevojshme që në projektligjin e energjisë elektrike, që është duke u përgatitur, të përfshihen dispozitat që i krijojnë mundësi KESH që të gjitha përfitimet neto shtesë nga kapaciteti prodhues i vet, KESH, t’i përdorë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose për krijimin e një fondi të dedikuar për të blerë energji në treg gjatë viteve me prodhim të energjisë elektrike nën mesataren shumëvjeçare. Në vijim të këtij përcaktimi dhe në kuadrin e përllogaritjes së tarifës së KESH Gen, ERE duhet të marrë në konsideratë vlerën e plotë të investimeve të KESH për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Ofrimi i shërbimeve ndihmëse bazuar në procedura konkurruese:
Megjithëse modelit aktual i tregut shqiptar të energjisë elektrike (pikat 4.1 dhe 4.2) parashtron që Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) duhet të blejë shërbimet ndihmëse (nëpërmjet procedurave konkurruese dhe transparente) nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut, aktualisht, KESH është i vetmi operator i tregut të energjisë elektrike që i ofron OST të gjitha shërbimet ndihmëse (ndërkohë që kompensohet financiarisht me tarifë të rregulluar vetëm për shërbimin e balancimit).
Tashmë KESH dhe OST po përgatisin studimin përkatës për përllogaritjen e kostove të shërbimeve ndihmëse, i cili më pas duhet të miratohet nga ERE. Ofrimi i shërbimeve ndihmëse kundrejt tarifave përkatëse, i jep mundësi KESH të gjenerojë të ardhura shtesë t’i ruajë/përdorë për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Në të ardhmen, krijimi i tregut të shërbimeve ndihmëse do mundësojë ofrimin e këtyre shërbimeve nëpërmjet procedurave konkurruese, jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Shitja në treg të lirë e energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit:
Aktualisht, OST e siguron energjinë elektrike për të mbuluar humbjet në sistemin e transmetimit ekskluzivisht nga KESH bazuar në tarifën përkatëse të KESH Gen (prej 1 lek/kWh). Ndërkohë, modeli aktual i tregut shqiptar të energjisë elektrike (pikat 4.1 dhe 4.2) përcakton që “OST blen energjinë elektrike për të mbuluar humbjet në sistemin e transmetimit nga KESH Gen dhe pjesëtarët e tjerë të tregut të energjisë elektrike”.
Në përputhje të plotë edhe me përcaktimet e paketës së tretë legjislative të Bashkimit Europian për energjinë, sistemi ynë elektro-energjetik dhe tregu i energjisë elektrike në Shqipëri duhet të jetë një treg i hapur, i lirë dhe konkurrues dhe të reflektojë kostot reale të operatorëve të këtij sistemi/tregu.
Për këtë arsye, OST duhet të lejohet të blejë energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit nëpërmjet procedurave konkurruese dhe transparente të miratuara prej ERE-s. Në këtë mënyrë KESH do të ketë mundësinë që sasinë e energjisë që lëvrohet për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit me çmim 1 lekë/kWh, ta shesë në treg (pra me çmim më të lartë) duke gjeneruar të ardhura shtesë.
Zbatimi i masave të mësipërme për përmirësimin e kuadrit ligjor/rregullator, jo vetëm do të konsiderohet si një qasje më e drejtë dhe e plotë me praktikat më të mira europiane, por do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit energjetik duke zhvilluar konkurrencën, rritur performancën, si dhe duke ofruar shërbime më të mira ndaj klientëve. Gjithashtu, zbatimi i këtyre masave me ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e situatës financiare të KESH do të mundësojë rehabilitimin e plotë të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin (në administrim të KESH), optimizimin e mëtejshëm ekonomik/energjetik të portofolit të KESH, si dhe investime në kapacitete të reja gjeneruese, për ta bërë shoqërinë të denjë, konkurruese dhe pjesëmarrëse aktive në tregun rajonal.
Autori është Administrator i KESH sh.a. dhe shkrimi është botuar në gazetën “Shqip”
Top Channel