Ukraina paguan një pjesë të borxhit të gazit

30/05/2014 00:00

Ukraina i ka paguar Rusisë një pjesë të borxhit të gazit pas bisedimeve, lajmi është bërë i ditur nga komisioneri evropian për Energjinë, Gunther Oettinger.

Ukraina i ka paguar “Gazprom-it” 786 milionë dollarë, nga 3.5 miliardë që Rusia pretendon se është borxhi. Menjëherë pas pagesës Rusia njoftoi se negociatat mes dy vendeve mund të vazhdojnë.

Më herët gjatë këtij muaji, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin i kërkoi Ukrainës të bëjë pagesën e gazit sa më parë. “Gazprom” kishte thënë se mund të bllokonte dërgimin e gazit në Ukrainë nëse nuk do të kryheshin pagesat.

Pas bisedimeve të së premtes në Berlin për të thyer bllokimin, Gunther Oettinger tha “Ende nuk kemi arritur një marrëveshje përfundimtare, por kemi bërë progres”.

Ukraina ka refuzuar të paguaj shumën e kërkuar nga Rusia, në shenjë proteste për rritjen e çmimit të gazit.  

Top Channel