Yatsenyuk: Rusia të mbrojë kufijtë

29/05/2014 00:00

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk i bëri thirrje Rusisë të kontrollojë kufijtë dhe të ndalojë terroristet të hyjnë në vendin e tij. Por ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov paralajmeroi se politikat e Kievit po e shtyjnë Ukrainën në një “luftë vëllavrasese”.

Nga Gjermania, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Arseniy Yatsenyuk tha se “situata në lindje po përkeqësohet dhe përfshirja e Rusisë po shkakton probleme të rënda. Një numër kamionësh të ngarkuar me municione, guerilas të trajnuar në Rusi kalojnë kufirin dhe hyjnë në Ukrainë- tha kryeministri i Ukrainës. I kërkoj Rusisë dhe Putinit të bllokojë kufirin me Ukrainën, nëse Moska qëndron jashtë kësaj loje mund ta menaxhojmë situatën brenda një jave”.

Me herët, udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov këmbënguli se nuk ka dërguar trupa për të luftuar krah separatistëve pro-rusë ne Ukraine. Përmes një deklarate ai tha se “si pjesë e Federatës ruse, Çeçenia nuk ka forca të armatosura dhe çdo çeçen që ndodhet në Ukrainë është në aftësinë e tij personale”.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë rivendosi kontaktet me ekipin e vëzhguesve në lindje të Ukrainës, me të cilët-siç u raportua më herët- kishte humbur lidhjet, por OSBE deklaroi se grupi i vëzhguesve është “izoluar dhe fati i tyre është i paqartë”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon i telefonoi presidentit te sapo zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko për ta përgëzuar për “marrjen e një mandati të fortë për të qeverisur”.

Moska ka kritikuar zgjedhjet presidenciale ne Ukrainë sepse shumë banorë në lindje të vendit, e patën të pamundur të votojnë, si pasojë e trazirave. Por për analistët dhe vëzhguesit, këto zgjedhje shtuan besimin tek zyrtareve ukrainas, për ti bërë ballë Moskës.

Top Channel