
Presidenti rus Vladimir Putin duket se po u përgjigjet sanksioneve të vendosura nga Perëndimi. Pas marrëveshjes së gazit me Kinën, Putin ka nënshkruar të enjten një marrëveshje me homologët e Kazakistanit dhe Bjellorusisë për të krijuar një union ekonomik.
Moska zyrtare deklaroi se Unioni Ekonomik Euroaziatik mes ish-shteteve sovietike do të krijojë një treg të përbashkët për të ndihmuar në integrimin e politikave ekonomike duke filluar nga viti i ardhshëm.
Presidenti Putin u shpreh se krijimi i këtij unioni ka një domethënie historike. Ndërsa ai bjellorus, Alexander Lukashenko u shpreh i optimist për një bashkim eventual të Ukrainës me bllokun.
Rusia i kishte bërë presion Ukrainës që të bashkohej gjatë kohës që në krye të shtetit ishte Viktor Yanukovych, para rënies së tij nga pushteti nga protestat e opozitës.
Tre presidentët nënshkruan paktin gjatë një takimi në kryeqytetin kazak, Astana. Marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 janar, sapo të ratifikohet nga parlamentet e tre vendeve dhe synon të garantojë lëvizje të lirë për mallrat, shërbimet, kapitalet dhe punëtorët, si dhe aplikimin e politikave të përbashkëta në sektorët më të mëdhenj të ekonomisë.
Mes tyre, tre shtetet kanë një GDP të kombinuar së bashku prej 2.7 trilionë dollarë amerikanë, ose 2 trilionë euro. Ndërkohë, kritikët e këtij projekti deklarojnë se marrëveshja është një përpjekje për të rigjallëruar pjesët e ish-Bashkimit Sovietik.
Top Channel