
Rebelët pro-rusë në Lindje të Ukrainës kanë qëlluar dhe rrëzuar një helikopter të ushtrisë, pranë Slovianskut, duke vrarë 14 persona në bord, ka bërë të ditur presidenti i përkohshëm i vendit.
Oleksander Turchynov tha se një gjeneral ishte mes viktimave dhe se rebelët përdorën një sistem kundër-ajror të prodhimit rus.
Qyteti i Slovianskut është përfshirë nga luftimet e ashpra mes separatistëve dhe forcave qeveritare gjatë javëve të fundit.
Pas zgjedhjes së tij, të dielën, presidenti i ri i vendit Petro Poroshenko u angazhua se do të shtonte operacionet kundër rebelëve.
Helikopteri u godit gjatë luftimeve të ashpra mes Slovianskut dhe Kramatorsk-it, të enjten, pasi kishte zbritur ushtarët në një bazë ushtarake, bëjnë të ditur raportimet.
Më herët gjatë muajit, separatistët rrëzuan edhe dy helikopterë të tjerë të ushtrisë, gjithashtu pranë Slovianskut, duke vrarë një pilot dhe një shërbyes.
Konflikti është intensifikuar edhe më tepër, që kur Poroshenko u zgjodh presidenti i ri i vendit, të dielën.
Rebelët thonë se kanë humbur mbi 100 luftëtarë, kur u përpoqën të pushtonin aeroportin e Donjeckut, rreth 130 km larg Slovianskut, të hënën.
Përplasje të tjera janë raportuar në disa zona të vendit gjatë ditëve të fundit, përfshi Slovianskun, ku milicitë pro-ruse kanë ndaluar edhe 4 vëzhgues ndërkombëtarë. Të katërt ata, një danez, një estonez, një turk dhe një zviceran, janë anëtarë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE), u morën peng të hënën.
Kryebashkiaku i vetëdeklaruar i Slovianskut, Vyacheslav Ponomaryov, tha për agjencinë ruse të lajmeve “Interfax”, se ata ishin të sigurt dhe në gjendje të mirë, si dhe mund të lirohen së shpejti.
Top Channel