
Vetëm pak orë pasi shumica dërrmuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i vlerësoi zgjedhjet e së dielës në Ukrainë dhe bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës e të rivendoset qetësia në vend, militantët pro-rusë rrëzuan një helikopter të ushtrisë ukrainase duke vrarë 14 persona, mes të cilëve edhe një gjeneral.
Presidenti në detyrë Oleksander Turcinov i tha parlamentit se rrëzimi i mjetit nga terroristët ndodhi në afërsi të Slovianskut, pikërisht vendi ku separatistët dyshohet të mbajnë peng katër vezhguesit europianë të zhdukur që të hënën në mbrëmje. Vetë militantët mbështetës të Moskës pohuan se helikopterin e qëlluan ata.
Më herët 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit përshëndetën pothuajse njëzëri fitoren e Petro Poroshenkos dhe premtimin e tij për të biseduar me Moskën me qëllim rikthimin e paqes dhe stabilitetit. Megjithatë, ambasadori rus Vitaly Churkin u tregua më i rezervuar duke thënë se zgjedhjet nuk janë një “ilaç” për konfliktin e Ukrainës.
Të mërkurën numri një i Kombeve të Bashkuara i telefonoi Poroshenkos për t’i uruar fitoren, por Ban Ki Moon shprehet mjaft i shqetësuar nga njoftimet për përdorimin e armëve të rënda në Lindje dhe akuzat për hyrjen e armatimeve, luftëtarëve dhe kamionëve në Ukrainë.
Në vëmendjen e tij është edhe cështja e katër monitoruesve të zhdukur, nga të cilët një është zviceran, njëri turk, një estonez dhe një danez. Po dje në të njëjtën zonë u ndalua një tjetër grup prej 11 vëzhguesish, të cilët më pas u lanë të lirë.
Top Channel