
Në zgjedhjet presidenciale të së dielës, në Ukrainë, kandidatët pro-europianë fituan shumicën dërrmuese të votave, por, po atë ditë, në kontinentin e vjetër u votuan më tepër kandidatët që kërkojnë mbylljen e dyerve të Europës.
James Brooke, i Zërit të Amerikës, mendon se fuqizimi i së djathtës në Europën Perëndimore mund të ketë shkaktuar pa dashur një viktimë: Ukrainën dhe ambiciet e saj europiane.
Thuajse një e treta e anëtarëve të rinj të Parlamentit Europian, deri në fund të kësaj dekade, do të vijnë nga partitë që nuk e duan BE-në dhe zgjerimin e mëtejshëm të grupit. Në mjaft raste, ato kanë shprehur vlerësime pozitive për presidentin rus, Vladimir Putin.
Parashikimet e VOA-s janë që euroskeptikët dhe ekstremi i djathtë do të përpiqen ta bllokojnë ndihmën financiare për Kievin.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Europë shihet si jo pozitiv për vendin e trazuar prej muajsh tashmë.
Bashkimi Europian ka problemet e tij; blloku nuk është në formë të shkëlqyer ekonomike, ndaj vendimi për t’i alokuar fonde Ukrainës do të ishte një barrë më vete në këtë moment të vështirë.
Të hënën, në Kiev, kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian tha se BE-ja është gati të nënshkruajë një marrëveshje për zonën e Tregtisë së Lirë me Ukrainën dhe t’i vazhdojë bisedimet për udhëtimin pa viza të ukrainasve.
Por, sërish në Bruksel, pakica në rritje e anëtarëve euroskeptikë e konsideron Ukrainën një problem të Rusisë dhe Kremlini po i vjen rrotull këtyre politikanëve anti-europianë, duke nisur nga liderja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen.
Top Channel