
Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif e ka cilësuar vrasjen me gurë të një gruaje nga familja e saj me gurë, përpara një gjykate të qytetit Lahore, si “tërësisht të papranueshme”.
Kryeministri Sharif ka urdhëruar kryeministrin e provincës së Punxhabit që të marrë “menjëherë masa” dhe të hartojë një raport për ngjarjen e ndodhur.
Farzana Parveen, që ishte tre muajshe shtatëzënë, u godit me gurë e me tulla deri në vdekje nga familjarët e saj, të cilët ishin acaruar sepse ajo ishte martuar kundër vullnetit të tyre.
Bashkëshorti i saj tha për BBC se policia nuk bëri asgjë, madje qëndroi duarkryq teksa njerëzit e sulmonin gruan e tij.
“Ata e shihnin Farzanën teksa vritej dhe nuk bënin asgjë. Dështimi i policisë për të ndalur këtë vrasje është i turpshëm dhe çnjerëzor”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, shefi i policisë së Lahores mohoi këto deklarata dhe tha se zonja Parveen kishte vdekur në momentin kur policia mbërriti në vendngjarje.
Oficeri Shafique Ahmad vuri në dyshim besueshmërinë e bashkëshortit të viktimës dhe tha po për BBC se policia nuk qëndroi duarkryq teksa sulmi ndodhte.
Në Pakistan verifikohen çdo vit qindra akte të quajtura “vrasje nderi”, por incidenti i fundit shkaktoi irritim pasi ndodhi në mes të ditës dhe sepse policia dhe banorët e qytetit rrinin aty dhe nuk bënin gjë për të ndalur aktin barbar.
Martesat me mblesëri janë një normë në Pakistan dhe të martohesh kundër vullnetit të familjes është e paimagjinueshme në shumë komunitete konservatore.
Top Channel