Pakistan, burri fajëson policinë për vrasjen me gurë

29/05/2014 00:00

Bashkëshorti i një gruaje pakistaneze e cila u vra me gurë jashtë një gjykate në Lahore tha se policia nuk bëri asgjë për të parandaluar krimin barbar.

Farzana Parveen, e cila ishte tre muajshe shtatzënë, u vra nga pjesëtarë të familjes së saj ditën e martë pasi ishte martuar me burrin që dashuronte.

“Ne thërritëm për ndihmë, por askush nuk na ndihmoi. Ajo që bëri policia ishte e turpshme dhe çnjerëzore. Nuk ndërhynë për të parandaluar këtë krim”, tha për BBC Muhamed Iqbal, burri i fatkeqes.

“Ata e panë teksa goditej me gurë dhe nuk bënë asgjë. Pasi e vranë, babai i saj u dorëzua vetë, ndërsa të tjerët janë ende të lirë”, shtoi burri.

Prindërit akuzojnë Muhamedin se e ka rrëmbyer vajzën dhe kishin ngritur padi ndaj tij, por vetë vajza ka dëshmuar në gjykatë se është martuar me të me dëshirë.

Top Channel