Kerry: Patrioti Snowden të kthehet në SHBA

29/05/2014 00:00

Pak pasi Edward Snowden u rikthye në vëmendjen e mediave ndërkombëtare me deklaratat se dëshiron të shkojë sërish në Shtetet e Bashkuara, Sekretari i Shtetit John Kerry i kërkoi të kërkuarit nga drejtësia amerikane ta bëjë vërtet një gjë të tillë.

Publikuesi i dokumenteve sekrete të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, në arrati prej një viti tashmë, tha në intervistën e parë për një kanal televiziv amerikan, se e konsideron veten patriot, por do t’i kërkojë Rusisë t’i zgjasë azilin, deri atëherë kur do ta shohë të arsyeshme të rishkelë në tokën amerikane.

Argumenti i ish-kontraktorit 30-vjeçar është se dëshiron të vetëmbrohet ndaj akuzave të administratës Obama, e cila e sheh si një tradhëtar, që rrezikoi jetët e njerëzve, duke zbuluar hollësitë e programit të përgjimit të NSA-së.

Por, sipas Kerry-t, nëse Snowdeni beson tek Amerika, atëherë duhet të ketë besim edhe te sistemi amerikan i drejtësisë.

“Një patriot nuk do t`ia mbathte. Nëse Snowden dëshiron të kthehet në Shtetet e Bashkuara, do t’i bënim gati avionin që sot. Ai është një njeri i turbulluar, i cili i ka bërë dëm të madh vendit të vet”, tha John Kerry.

Në intervistën për NBC, Snowden pretendonte se ishte trajnuar si spiun për misione të fshehta të CIA-s dhe NSA-së jashtë kufijve. Megjithatë, ai e përshkroi veten si ekspert teknik, që nuk merrej me rekrutim agjentësh.

“Ajo që bëj unë, – ishte shpjegimi i 30-vjeçarit, – është t’i vë sistemet në funksion të Shteteve të Bashkuara, dhe e kam bërë këtë në të gjitha nivelet, nga zeroja e deri në majë. Qeveria mund t’i mohojë gjëra të tilla e të thotë: ai është thjesht një specialist i nivelit të ulët, por kjo nuk është e vërtet”.

Kur Snowden u largua nga Shtetet e Bashkuara, Majin e vitit 2013, ai punonte si specialist për “Booz Allen”, një kontraktues gjigant qeveritar i NSA-së. Hollësitë e programeve të fshehta të përgjimit të Agjencisë, të bëra publike prej tij, përfshinin edhe mbledhjen e tabulateve dhe të dhënave të internetit të qytetarëve amerikanë.

Top Channel