Egjipt, Al-Sisi drejt një fitoreje të thellë

29/05/2014 00:00

Ish-shefi i ushtrisë, Abdul Fattah al-Sisi po i drejtohet një fitoreje të madhe në zgjedhjet presidenciale në Egjipt. Ai ka marrë mbi 90%  të votave pas numërimit të 2 mijë, nga 12 mijë qendra votimi. Pjesëmarrja në votimet është më e ulët se 45%, shumë grupe kanë bojkotuar votimet.

Ish-shefi i ushtrisë, Abdul Fattah al-Sisi, i cili rrëzoi nga pushteti presidentin islamik Mohammed Morsi, vitin e kaluar, garon përballë kandidatit të krahut të majtë, Hamdeen Sabahi. Ai drejtoi një spastrim të përgjakshëm të Vëllazërisë Myslimane, ku mbi 1400 persona janë vrarë dhe mbi 16000 janë ndaluar.

Vëllazëria myslimane tha se do të bojkotojë votimin, ashtu si edhe shumë grupe të tjera liberale dhe laike.

Hamdeen Sabahi, kandidati tjetër, tha se janë konstatuar shkelje gjatë procesit të votimit, megjithatë ai hodhi poshtë kërkesat nga mbështetësit e tij që të tërhiqet nga gara, duke thënë se nuk ishte në interes të popullit.

Autoritetet ushtarake shtynë procesin e votimit edhe për një ditë të tretë, me shpresën për një pjesëmarrje më të madhe, por raportohet se gjatë së mërkurës qendrat e votimit ishin thuajse të zbrazura.

Top Channel