Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në vend, që të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë e dinjitoze, në mënyrë që Kosova t’ia dëshmojë botës, se ka tashmë një demokraci funksionale e të konsoliduar.

Thaçi ka ftuar të gjitha subjektet garuese që të shmangin gjuhën e urrejtjes, fyerjes dhe shpifjes, të zbatojnë me rigorozitet kodin zgjedhor dhe të respektojnë plotësisht bindjet e kundërshtarëve politik.
 
Ndërkohë, të martën Thaçi shpalosi platformën e Misionit të Ri para studentëve, ku premtoi heqjen e TVSH-së për gjitha produktet e teknologjisë informative.
 
Me këtë rast ai tha se në mandatin e ri qeverisës do të formojë edhe Ministrinë e Teknologjisë dhe Informacionit.

“Element kyç në këtë sektor është cilësia e burimeve njerëzore dhe talenti. Ne kemi popullin më të ri në Evropë dhe kemi potencial të madh që të bëhemi konkurrues në këtë sektor. Një ndër prioritetet e mia do të jetë edhe financimi i kompanive që operojnë në fushën e teknologjisë së lartë dhe të informacionit”, tha Hashim Thaçi.
 
Gjatë prezantimit të misionit të ri, në fushën e teknologjisë informative u tha se Kosova prin në rajon me shpërndarje dhe cilësi të internetit.
 
Mustafa akuzon Thaçin
“Brenda një viti heqim vizat me BE dhe nënshkruajmë MSA-në”

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës të martën ka shpalosur programin e saj për sundim të ligjit dhe politikë të jashtme.
 
Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kritikuar qeverisjen e Kryeministrit Hashim Thaçi për skandale në fushën e drejtësisë.
 
Mustafa ka thënë se në qeverisjen e LDK-së, Kosovës do t’i hapen kanalet diplomatike të cilat sipas tij, aktualisht janë të mbyllura për shkak të qeverisjes së keqe.

“Ne jemi të bindur se me reformat që do të ndërmarrim, do të arrijmë që brenda vitit të parë të mandatit tonë të parë do të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave, brenda mandatit të parë do ta nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si dhe do të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Forcat e Armatosura do të jenë pjesë e misioneve paqeruajtëse të NATO-s”, tha Isa Mustafa.
 
Kreu i LDK-së po ashtu ka thënë se do të angazhohen që të heqin nga fuqia rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën, pasi kjo rezolutë tanimë është e panevojshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA