
Krerët e shteteve dhe qeverive europiane, të martën në mbrëmje në Bruksel, i ngarkuan Presidentit të Këshillit, Herman Van Rompuy, të nisë konsultimet për zgjedhjen e Presidentit të Komisionit, duke i lënë derë të hapur mundësive të tjera, dhe jo emërimit të kandidatit të PPE-së fituese, Jean Claude Juncker.
Samiti special i BE-së, që u zhvillua dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare, përfundoi me deklaratën e Van Rompuy-t, i cili tha se “diskutimi i parë ishte i dobishëm”, që në gjuhën diplomatike do të thotë jopërfundimtar, jokonkluziv.
Presidenti i ardhshëm duhet të ketë mbështetjen e shumicës së udhëheqësve të BE-së, si dhe të jetë në gjendje të drejtojë shumicën në Parlamentin Europian, me qëllimin për të kaluar vështirësitë me legjislacionin.
Emri i Juncker-it nuk u përmend nga Rompuy dhe ky ishte një tregues jo i vogël, se nuk ka kufizim për emra dhe kandidatura.
Duke folur në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane Angela Merkel konfirmoi këtë përshtypje, duke thënë se Këshilli, mbështetur mbi Traktatin e Lisbonës, duhet të paraqesë propozimin e tij. “Si një anëtare e PPE-së, unë propozoj Jean Claude Juncker si President për Komisionin Europian. Unë e mbështes atë. Nuk e kam harruar këtë për asnjë ditë pas zgjedhjeve, por jam e kufizuar nga traktatet europiane”.
Një zyrtar i BE-së tha se, gjatë takimit të së martës, nuk u diskutua emër tjetër veç atij të Juncker-it, por ai nuk mori peshën e nevojshme. Suedia dhe Hungaria janë kundër kandidaturës së Jean Claude Juncker-it. Madje, flitet për një bllok anti-Juncker, të udhëhequr nga kryeministri britanik David Cameron.
Në takimet dypalëshe para samitit janë diskutuar tri kandidatura, siç mësohet nga zyrtarë të BE-së, që kanë kërkuar të ruhet identiteti. Emrat e tyre janë Christine Lagarde, por kjo do të ishte “vetëvrasja politike e Hollande” nëse do ta propozonte.
Dy emrat e tjerë janë: kryeministri i Finlandës, Jurki Katainen, që do të japë dorëheqjen në Qershor nga ky post dhe i përket PPE-së, si dhe kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning Schmidt, e Partisë së Socialistëve Europianë, e cila nuk ka shprehur asgjë publikisht, madje nuk pranoi të fliste për gazetarët. Samiti i ardhshëm i udhëheqësve të BE-së do të jetë më 26-27 Qershor.
Top Channel