PD denoncon emërimet në administratë

28/05/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi emërimin e një punonjësi në Prefekturën e Tiranës, që sipas saj ka qenë i dënuar në Greqi për trafik narkotikësh.

“Kryeministri Edi Rama i ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për trafik droge në shtetin grek. Genart Gjashta është dënuar fillimisht nga gjykata e shkallës së parë në Greqi me 16 vite burg, më pas gjykata e apelit në greqi, në vitin 2004 ka vendosur dënimin me 10 vite burgim me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. me këtë vepër penale që ka kryer dhe dënimin e marrë nga drejtësia greke, Genart Gjashta plotëson kriteret e Edi Ramës për të marrë një detyrë të rëndësishme, një post kyç në Prefekturën e kryeqytetit”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Pas kësaj akuze reagoi Prefektura e Tiranës që e cilësoi shpifje të opozitës, por në një njoftim të dytë Prefektura tha se Genart Gjashta ka patur një proces në Greqi dhe e ka fituar cështjen me procedurë në Strasburg, por nuk ka marrë pafajësinë.

Gjatë pasdites zyrtari i prefekturës dha dorëheqjen.

Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve të Brendshme në Prefekturën e Tiranës ka dhënë dorëheqjen pas akuzave të bëra publike nga Partia Demokratike që pretendon se ai ka precedentë penalë, madje se është i dënuar për trafik lëndësh narkotike në Greqi.

Lajmi i dorëheqjes së Genart Gjashtës është njoftuar nga zëdhënësi i Prefekturës së Tiranës, Ardit Rada bashkangjitur të cilit është dhënë edhe një sqarim për gjithë akuzat e opozitës, që cilësohen si shpifje.

“Prefekti i Qarkut Tiranë kërkon të sqarojë se kjo gjueti shtrigash me prapavijë të plotë politike që e ka zanafillën që në bllokimin e pazareve të Lulzim Bashës tek Bulevardi i Ri, duhet të konsiderohet e turpshme dhe e neveritshme për këdo. Bazuar në dokumentacionin ekzistues në dosje dhe të përcjellë më parë për mediat, z. Genart Gjashta nuk figuron i dënuar sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore.

Prefekti i Qarkut Tiranë bën me dije se Genart Gjashta ka fituar betejën ligjore me shtetin grek në Gjykatën e Strasburgut në vitin 2006.

“Genart Gjashta me detyrë Përgjegjës Sektori i Shërbimeve të Brendshme e ka ndjekur çështjen në Gjykatën e Strasburgut për arsye procedurale. Ndërkohë, ai e ka fituar me 6 vota PRO të trupës gjykuese procedurën. Pas këtij vendimi, për arsye financiare, z. Gjashta nuk e ka ndjekur më çështjen për të marrë pafajësinë.  Nga ana tjetër, kjo çështje quhet e shuar dhe shtetasi shqiptar Genart Gjashta figuron i padënuar në shtetin fqinj grek”, thuhet në njoftim.

Për pasojë tashmë ish-përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve të Brendshme në Prefekturë, Genart Gjashta i qëndron vendimit të tij të përcjellë më parë për të paditur Partinë Demokratike me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit të shpifjes së radhës dhe më pas njofton se do t’i drejtohet Strasburgut për të përfunduar procesin e pafajësisë.

Top Channel