Kriza, tablo dramatike për Italinë

28/05/2014 00:00

Të dhënat e paraqitura nga raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Statistikave japin një tablo dramatike të Italisë. Numërohen rreth 3 milionë familjet italiane që nuk kanë të punësuar ose që përbëhen vetëm nga pesnionistë e që mendohet se kanë vështirësi serioze ekonomike.

Vështirësi që hasin edhe gati gjashtë milionë e gjysmë personat që janë në kërkim të punës dhe që nuk e gjejnë.

Kriza ekonomike nga njëra anë ka shtuar numrin e emigrantëve që janë larguar nga Italia (+18%), ashtu edhe atë të italianëve që kanë lënë vendin në kërkim të perspektivave më të mira.

Gjatë pesë viteve të fundit kanë ikur nga Italia gjithësej 94 mijë të rinj. Pakësim ka edhe sa i përket numrit të emigrantëve që vijnë në Itali, 27.7% më pakë në krahasim me vitin 2007.

Ka rënë ndërkohë me 9 pikë treguesi i punësimit mes të huajve me banim në Itali, një fenomen që ka prekur në përgjithësi vendet europiane.

Mes emigrantëve shqiptarë, rënia e treguesit të punësimit ka qenë mjaft e ndjeshme, kryesisht për burrat me -19 pikë. Bie në sy gjithashtu pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave.

Instituti i Statistikave vë në dukje se Italia është ndër vendet europiane me pabarazinë më të madhe.

Top Channel