Një minutë pas mesnatës, subjektet më të mëdha politike në Kosovë kanë hapur fushatën zyrtare për zgjedhjet e parakohshme të 8 Qershorit.

Fushata e Partisë Demokratike të Kosovës është hapur me fishekzjarre, në degën e kësaj partie në Prishtinë, ku i pranishëm nga krerët e PDK-së ishte nënkryetari Kadri Veseli. Numri dy i partisë së kryeministrit Hashim Thaçi beson se PDK do të dalë sërish partia më e votuar.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë një shumicë solide në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Një fitore, e cila i drejtohet të mirës së Kosovës, e cila i respekton të gjithë oponentët tanë politik dhe u uron një opozitë të shëndoshë, një opozitë të suksesshme për katër vite”, tha Kadri Veseli, nënkryetar i PDK-së.

Nga ana tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën në mesnatë, ku pretendenti për pozitën e kryeministrit, Isa Mustafa, u shpreh optimist për fitore në zgjedhjet e 8 Qershorit.

“Hyjmë në këto zgjedhje me bindje të plotë, se LDK-ja do të jetë fituese dhe se, në mëngjesin e 9 Qershorit, do të fillojmë punën për themelimin e kabinetit qeveritar, i cili do të qeverisë Kosovën, jo vetëm në katër vitet e ardhshme, por edhe më në afatgjatë, sepse programi ynë është më afatgjatë, që siguron prosperitet, stabilitet dhe siguron qeverisje të mirë të vendit”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Gjatë dhjetë ditëve në vijim, 31 subjekte garuese do të kërkojnë votat e kosovarëve për zgjedhjet e 8 Qershorit. Fokusi më i madh i premtimeve të subjekteve politike është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, por nuk mungojnë as premtimet për fushën e sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe integrimeve evropiane.

Zgjedhjet e 8 Qershorit do të vëzhgohen nga qindra vëzhgues të huaj, ndërsa për të ruajtur procesin zgjedhor, edhe Prokuroria e Shtetit ka angazhuar shumë prokurorë, që të jenë aktivë në ditën e zgjedhjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA