Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore në kryeqytet, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë nga dega e Prishtinës.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, lideri i PDK-së Hashim Thaçi deklaroi se, bashkë me partnerët e koalicionit, partia e tij do të arrijë fitore të thellë në zgjedhjet e 8 Qershorit.

“Dy misionet e para ishin për shtetin tonë, e misioni ynë i ri është për qytetarët tanë. Ne do të krijojmë 200 mijë vende të reja pune. Do të investojmë 500 milionë euro vetëm në sektorin e bujqësisë, për të krijuar 50 mijë vende pune. Ne do të krijojmë vende të reja pune, do të investojmë në biznese të reja, dhe, siç kemi bërë çdo vit, ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave”, tha Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së.

Thaçi u shpreh i bindur, se fitorja e PDK-së në këto zgjedhje do të jetë më e thellë, se ajo e vitit 2007.

Në këtë tubim, para simpatizantëve kanë folur edhe liderët e partive të tjera të koalicionit. Ata thanë se misioni i ri është bashkimi i shumë ideve, e njerëzve më të mirë, që do të zhvillojnë vendin.

Gjatë tubimin të PDK-së në Prishtinë, simpatizantët nuk harruan të brohorasin edhe emrin e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Pas Prishtinës, fushata e PDK-së ka vazhduar edhe në Fushë-Kosovë dhe Drenas.

Vetëvendosja: Tatim progresiv
Kurti: Do të heqim TVSH-në për artikujt kryesor

Lideri dhe kandidatët për deputetë të “Lëvizjes Vetëvendosje” janë takuar me qytetarë të Prishtinës, në ditën e parë të fushatës. Albin Kurti tha se, me VV-në në qeverisje, të gjithë ata që e kanë pagën 170 euro nuk do të paguajnë tatim, derisa ata që e kanë mbi 1700 euro do të paguajnë 30 përqind tatim.

Për këtë arsye, VV premton që të heqë TVSH-në për artikujt themelorë.

“Tatimin progresiv nuk e shohim në llogari të luftimit të evazionit fiskal, por do t’i bëjmë të dyja dhe, me sistem gjyqësor të drejt, do t’i fusim të gjitha bizneset në sistemin ekonomik të Kosovës. Nuk do të ketë fshehje të tatimit, nuk do të ketë biznese të privilegjuara, as biznese të diskriminuara. Në anën tjetër, ne do të arrijmë me politika fiskale, me politika tjetër farë, ta zbusim pabarazinë dhe ta bashkojmë gjithnjë e më shumë shoqërinë”, tha Albin Kurti, lider i VV.

Po ashtu, tatimi progresiv – sipas Vetëvendosjes – do të bëjë që tatim-fitimi do të rivlerësohet, për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tyre, çdo kompani që dëshmon riinvestimin në fitim dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në prodhim, do të lirohet nga tatimi në fitim.

Fushata e “Nismës për Kosovën”
Limaj: Është momenti i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit

Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, bujqësia, arsimi e shëndetësia, janë disa nga fushat, ku fokusohet programi qeverisës i “Nisma për Kosovën”.

Gjatë prezantimit të programit të “Nismës”, lideri i këtij subjekti Fatmir Limaj tha se, tani është momenti i demokracisë dhe ndërtimit të saj.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, tha se Kosova vetëm me “Nismën” mund t’i kalojë sfidat e tilla, si ndërtimi i shtetit të së drejtës, drejtësisë sociale, e integrimit në institucionet euroatlantike.

Limaj dhe Krasniqi kritikuan qeverisjen aktuale për krizën demokratike e ekonomike në vend.

LDK e nis me sulme ndaj PDK-së së Thaçit

Me akuza të ashpra, në adresë të partisë së Hashim Thaçit, e nisi fjalimin kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në tubimin e hapjes së fushatës zgjedhore.

Ai tha se misioni i ri i PDK-së është të shkojë në opozitë, ndërsa e vlerësoi subjektin e tij si të vetmin, që mund ta ndalë trendin e degradimit të shtetit, të ofrojë zhvillim – siç tha Mustafa, – punësim dhe shtet ligjor për qytetarët e Kosovës.

Mustafa garantoi simpatizantët e LDK-së, se do t’i realizojë premtimet e bëra gjatë fushatës. Të pranishmit u entuziazmuan, kur ai theksoi se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në e Thaçit.

Në tubimin zgjedhor të  LDK-së mori pjesë edhe përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane, Mikulas Dzurinta. Ai shprehu besimin se LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 8 Qershorit, ashtu sikurse PPE është sërish forcë udhëheqëse në Europë.

AKR, Pacolli: Mbi 10% rritje ekonomike çdo vit

“Aleanca për Kosovë të Re” e Behxhet Pacollit hapi fushatën elektorale në Prishtinë. Kryetari i AKR-së Pacolli kërkoi votën e qytetarëve, duke premtuar 10 miliardë euro nga funksionalizimi i Trepçës dhe mbi 10% rritje ekonomike për çdo vit të qeverisjes.

Ndër të tjera, Pacolli akuzoi partitë e tjera duke thënë se i kanë kopjuar programin ekonomik partisë së tij, por ai theksoi se, në mungesë të njerëzve të AKR-së, programet ekonomike të partive të tjera janë të pazbatueshme.

Pacolli premtoi edhe rikthimin e pronave nga Agjencia e Privatizimit te qytetarët kosovarë.

AAK, Haradinaj: Paga 1000 euro për kosovarët

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, fushatën elektorale e hapi zyrtarisht në qytetin e Pejës. AAK, për herë të parë pas vitit 2007, garon në zgjedhje bashkë me liderin e saj Ramush Haradinaj.

Haradinajt iu ndalua pjesëmarrja në jetën politike, për shkak të procesit në Hagë, nga ku u shpall i pafajshëm për krime lufte në Kosovë. Tani, Haradinaj kërkon votën për kryeministër, i cili premton zhvillim ekonomik dhe rritje të pagave deri në 1 mijë euro.

Kryetari i kësaj partie, Haradinaj, e ka nisur fjalimin e tij me premtimin për barazinë, që ai do të ofrojë për njerëzit.

Kryetari i AAK-së i ka siguruar qytetarët e Pejës dhe të të gjithë Kosovës, se “drejtimi i ri” do të jetë fitues në zgjedhjet e 8 Qershorit e, përveç kësaj, Haradinaj ka thënë se fitorja do të vazhdojë edhe deri atëherë, kur Kosova do të ketë një zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA