
“Opozita do bëjë gjithçka që Shqipëria të mos kthehet në oaz të drogës”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të PD gjatë një takimi me ambasadorin amerikan Alexander Arvizu.
Basha ndau me ambasadorin shqetësimin për atë që ai e quajti “vërshim alarmant të trafikut të drogës” në vend nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, duke theksuar se për opozitën shqiptare është papërgjegjshmëria e kësaj mazhorance dhe e kryeministrit Rama arsyeja për degradimin e situatës së drogës në këto nivele.
Siç njofton zyra e shtypit në PD, zoti Basha është shprehur se opozita ndjehet e shqetësuar për agresionin e deputetëve të mazhorancës, shfaqur dy ditë më parë në Parlament ndaj deputetit Strazimiri.
“Shqipërisë t’i jepet statusi”
Basha takon përfaqesues të diplomacisë suedeze
Ndërsa në një tjetër takim me drejtorin e përgjithshëm për Çështjet Politike në Ministrinë e Jashtme suedeze, Torbjörn Sohlström, kryetari PD-së Basha është shprehur se Shqipëria i plotësoi kriteret e kërkuara nga Komisioni Europian dhe ato janë çertifikuar, ndaj statusi i vendit kandidat është i merituar dhe nuk ka arsye të mos jepet.
Partia Demokratike dhe opozita, ka theksuar Basha jo vetëm e mbështesin pa asnjë kushtëzim integrimin europian të vendit, por po i shërbejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë, duke denoncuar me fakte shkeljet e ligjit nga qeveria, përfshirjen e elementëve të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe në poste kyçe të administratës, çka ka sjellë rritjen e frikshme të trafikut të drogës drejt vendeve të BE-së.
Top Channel