Ukrainë, 30 të vrarë në Donetsk

27/05/2014 00:00

Të paktën 30 separatistë pro-rusë janë vrarë deri tani në luftimet e dhunshme në aeroportin e qytetit lindor të Ukrainës, Donetsk. Lajmin e kanë bërë të ditur rebelët.

Separatistë të armatosur u përpoqën të merrnin nën kontroll aeroportin të hënën, por Kievi u përgjigj me sulme ajrore dhe një përballje në terren.

Presidenti i ri i Ukrainës, Petro Poroshenko ditën e hënë bëri thirrje për vazhdimin e operacioneve kundër terroristëve në lindje, duke thënë se situata duhet të zgjasë disa orë dhe jo muaj.

Një përfaqësues i republikës së vetëshpallur të Donetskut tha për BBC se lajmet për 30 të vdekur janë të sakta. Ndërsa një rebel tha për “Associated Press” se trupat janë dërguar në spitalin e qytetit.

Përleshjet filluan të hënën pasi militantët separatistë bastisën aeroportin Prokofiev të Donetskut, në orët e para të mëngjesit. Ushtria ukrainase u përgjigj menjëherë me disa sulme ajrore dhe me një sulm me trupa të armatosura rëndë.

Ende nuk është e qartë se kush e kontrollon aktualisht aeroportin, i cili u mbyll në orët e para të së hënës. Gazetarë të mediave ndërkombëtare raportojnë se atje ka pasur të shtëna gjatë gjithë natës.

Përpjekja për të marrë nën kontroll aeroportin mund të ketë pasur si qëllim parandalimin e vizitës së presidentit të zgjedhur të Ukrainës, Poroshenko, i cili ka thënë se vizita e tij e parë pasi të marrë postin do të jetë në zonat e lindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB