
Përplasja fizike është mbyllur rreth orës 14:00, por përplasja verbale mes deputetëve ka vijuar më pas në distancë. Përmes deklaratave në rrjetet sociale apo në telefon, deputetët e përfshirë në konflikt përvec akuzave që kanë hedhur kanë rindërtuar edhe ngjarjen e rëndë.
Demokrati Gent Strazimiri ka postuar në profilin e tij në Facebook një reagim per ngjarjen. Teksa shkruan se situata nuk e gjeti të papërgatitur pasi sipas tij një tjetër provokim prej katër deputetëve socialistë, me në krye, thotë ai, Armand Prengën e ka pasur në datë 9 prill të këtij viti. Ai akuzon deputetin socialist të Lezhës si “person i pluridënuar në Itali për thyerje vilash, drogë dhe prostitucion!”.
“Sulmi ndaj meje pas asnjë pasojë fizike vetëm se më shton vendosmërinë që këtë vend të mos ia lemë narko-trafikantëve. Ata nuk mund të jenë modeli edukativ i fëmijëve tanë”, thotë ndër të tjera deputeti demokrat.
Por socialisti Armand Prenga i kontaktuar në telefon nga Top Channel, deklaroi se në rast se Strazimiri ka prova apo një vendim gjykate që vërteton akuzat e tij, ai është i gatshëm të lërë mandatin e deputetit dhe politikën gjithashtu. Sipas Prengës, deklarimet e deputetit demokrat janë thjesht dhe vetëm politike, akuza për të cilat Prenga thotë do të përballet me Strazimirin në gjykatë.
Në sqarim të fillesave të incidentit, Prenga thotë se ka ndërhyrë në momentin kur ka parë se Strazimiri ishte duke sulmuar fizikisht deputetët socialistë, Qefalia dhe Bejko.
Deputeti tjeter socialist, Xhemal Qefalia i kontaktuar gjithashtu në telefon përmes një mesazhi thotë se me Strazimirin ka patur marrëdhënie korrekte dhe nuk është konfliktuar asnjëherë me të.
“Për rastin konkret unë vetëm e pyeta përse më kishte përmendur emrin mua dhe kolegut Lutaj pasi nuk ishim të pranishëm, por ndërkohe ai doli jashtë kontrollit duke sharë dhe ngritur zërin, cka tërhoqi vëmendjen e personave të tjerë”, thotë Qefalia.
“Ne jemi deputetë dhe nuk jemi në parlament për të sharë dhe ironizuar njëri-tjetrin sic po ndodh rëndom kohët e fundit, mbyll reagimin për Top Channel përmes një mesazhi deputeti socialist Xhemal Qefalia.
Top Channel