
“Ballkani Perëndimor dhe BE: Rruga e Shqipërisë drejt Europës, si destinacioni brenda nesh”, kjo ishte tema e një ligjërate, që mbajti kryeministri Edi Rama në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale.
“Europa për ne është ajo çka do ta quaja demokracia e përditshme në vendin tonë dhe vetëdija se veprimet tona, në çdo moment, si vendimmarrës ndikon jetën dhe mundësitë e njerëzve sot, dhe brezave të ardhshëm, që janë gjeneratat e reja europiane. Vendosmëria jonë për anëtarësim në BE dhe për integrimin e Ballkanit në BE, ka të bëjë me dëshirën për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, që është Europa e Bashkuar, e cila kontribuon në mirëqenien e miliona njerëzve dhe për sigurimin e një bote më të drejtë”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është aktivisht e angazhuar në promovimin e projekteve dhe nismave konkrete të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
“Të vetëdijshëm, që bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në suksesin e integrimit, qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar në projekte rajonale në fushat e infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe tregut të punës, për të cilin ne jemi duke ndërmarrë hapa të shpejtë liberalizimi. Shumë premtues është gjithashtu gazsjellësi TAP. Projekt, për të cilin Holanda ka treguar interes, e bazuar në eksperiencën që ky vend ka me gazin natyror. Qeveria jonë është entuziaste për këtë interes dhe gjithë mundësitë, që do t’i sjellë ky projekt vendit dhe rajonit”, vijoi më tej Rama.
Më tej, gjatë ligjëratës, kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare po punon për ndryshimin e imazhit të vendit, një proces i përditshëm dhe afatgjatë.
“Qeveria jonë e re po punon mbi imazhin e vendit dhe ne mbetemi të hapur ndaj çdo sugjerimi. Megjithatë, kjo nuk është diçka që ka lidhje vetëm me imazhin, por, çka është më thelbësore, kjo ka lidhje me transformimin. Procesi i integrimit është një instrument i jashtëzakonshëm transformimi. Mendoj se marka e vendit tonë, por gjithashtu e të gjithë rajonit, është thelbësore për aftësinë e tij në tërheqjen e turizmit dhe investitorëve, por, para së gjithash dhe veçanërisht, është e rëndësishme të ndryshojmë qëndrimin e të tjerëve ndaj nesh”, theksoi kryeministri Rama.
Në Hagë, kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu takime me kryetaren e Parlamentit dhe Presidenten e Senatit holandez, znj. Anouchka van Miltenburg dhe znj. Ankie Broekers-Knol.
Top Channel