
Ushtria nigeriane thotë se ka arritur të zbulojë vendin se ku mbahen mbi 200 vajza të rrëmbyera nga Boko Haram, por nuk mund të ndërhyjnë pasi do të ishte me tepër rrezik.
Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Nigerisë tha se ky është një lajm i mirë për prindërit, por pranoi se për momentin nuk do të ketë një ndërhyrje ushtarake pasi sipas tij do të ishte e rrezikshme.
Më herët, gjatë së hënës u anulua në mënyrë të papritur nga qeveria e Nigerisë një marrëveshje që parashikonte lirimin e disa prej vajzave. Sipas marrëveshjes, e cila u anulua, 50 vajza do të liheshin të lira në këmbim të lirimit nga burgu të 100 militantëve islamikë. Arsyet e anulimit të marrëveshjes janë të pa qarta.
Grupi Boko Haram rrëmbeu mbi 200 vajza nga një shkollë më 14 prill. Qeveria nigeriane ndodhen nën presion për të bërë më shumë për frenimin e aktiviteteve të grupit dhe për lirimin e vajzave.
Mijëra persona kanë vdekur që kur Boko Haram nisi një fushatë të dhunshme kundër qeverisë nigeriane në vitin 2009 dhe në fushatën e sigurisë që ndërmori shteti si kundërpërgjigje.
BBC ka mësuar se autoritetet kanë zhvilluar bisedime me grupin për të siguruar lirimin e nxënëseve të rrëmbyera. Një ndërmjetës u takua me liderët e Boko Haram më herët gjatë muajit dhe vizitoi vendin në veri-lindje të Nigerisë ku vajzat po mbahen peng.
Top Channel