Zbulohet gabimisht shefi i CIA-s në Afganistan

26/05/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë aksidentalisht zbulon emrin e shefit të CIA-s në Afganistan, në një email të dërguar rreth 6 mijë gazetarë.

Emri i oficerit ishte përfshirë nga stafi i Ambasadës amerikane në listën e 15 zyrtarëve amerikanë që u takuan me Presidentin Obama gjatë vizitës së papritur të tij në Bagram të Afganistanit.

Zakonisht lista të tilla i bëhen publike medias, por emrat e zyrtarëve të shërbimeve sekrete nuk shënohen. Në këtë rast, emri i individit ishte shënuar, duke e identifikuar si “shef i stacionit”. Lista ishte publikuar nga zyra e shtypit pa u modifikuar.

Identiteti i zyrtarëve të CIA-s në shtetet e huaja rrallë herë bëhen publik për arsye sigurie, si edhe për të mos i penguar ata të veprojnë në mënyrë të fshehtë.

Duke pasur parasysh natyrën e rrezikshme të situatës së krijuar mediat amerikane nuk e ka bërë publik emrin e zyrtarit të zbuluar, kjo edhe pas kërkesës së bërë nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë për të mos e publikuar emrin.  

Zbulimi i qëllimshëm i emrave të oficerëve sekret cilësohet si krim në SHBA. Një oficer i CIA-s, John Kiriakou u dënua me 30 vjet burg në janar të këtij viti, pasi u shpall fajtor për zbulimin e identitetit të një kolegu të tij.

“Dikush nga Shtëpia e Bardhë duhet të ndiqet penalisht mbi këtë rast”, tha avokati i John Kiriakou, menjëherë pas lajmit, duke shtuar se “në rast të kundër do të tregohet edhe një herë drejtësia me dy standarde mbi rrjedhjet e informacionit”.

Në vitin 2010, shefi i CIA-s në Pakistan, Jonathan Bank, u largua nga Pakistani pas publikimit të identitetit të tij nga gazetat lokale.

Top Channel