
Nga Anglia në Greqi, triumfi i ekstremistëve po përshkruhet si votë e qartë proteste.
Fenomeni UKIP shënoi të parën herë, që prej 1910-s, që zgjedhjet kombëtare britanike nuk i kryesojnë konservatorët apo laburistët. Dhe do të kishte dalë akoma më mirë, po të mos ishte për dy partitë e tjera euroskeptike, “Pavarësi nga Europa” dhe “Jo BE-së”, të cilave i detyrohet një rrjedhje e pjesshme e votave të Nigel Farage.
Partitë e ekstremit të djathtë e të majtë shënuan sukses në mbarë Europën. Në Francë, Fronti Nacional ishte i pandalshëm; rezultatet në Danimarkë i kryeson Partia Popullore daneze; Jobbiku në Hungari doli mjaft mirë, e nuk harrohet pa u përmendur triumfi i Syriza-s në Greqi.
Euroskeptikët janë, në përgjithësi, një grup i përçarë partish politike, me këndvështrime shpeshherë kontradiktore, ndaj pak gjasa ka që të formojnë një aleancë të përbashkët. Megjithatë, influenca anti-BE në Parlamentin Europian, me praninëe tyre, do të rritet ndjeshëm.
Në total, partitë e protestës, siç po i quan shtypi ndërkombëtar, siguruan 30% të votës europiane, nga gati 20% që kishin në Parlamentin aktual.
Me pamje të zymtë, presidenti në largim i PE-së, Martin Schulz, i tha reporterëve se do të negociojë me partitë e tjera. “Për Bashkimin Europian është një ditë e keqe, kur një parti raciste, ksenofobe e anti-semite, merr 25 përqind të votave në Francë”, u shpreh ai. “Votuesit e saj nuk janë ekstremistë, janë thjesht njerëz që kanë humbur besimin dhe shpresën”.
Për vite me radhë, BE-ja vazhdoi të zgjerohej, duke përfshirë ish-vendet komuniste të Europës Lindore, e u duk sikur blloku do të bëhej më i fortë. Sot, askush nuk mendon se kjo është e garantuar.
“I gjithë projekti europian, ka qenë që në fillim një gënjeshtër, – u shpreh Farage në intervistën e fundit televizive. – Unë nuk dua vetëm që Britania të largohet nga BE-ja; dua që e gjithë Europa ta lërë BE-ne”.
Rezultati i zgjedhjeve europiane, më fort se sa në nivel blloku, do të ndihet në politikat kombëtare, duke i shtyrë partitë konservatore edhe më shumë nga e djathta, e duke rritur presionet për frenimin e emigracionit.
Top Channel