“Rusia, e gatshme për dialog me Poroshenko-n”

26/05/2014 00:00

Rusia ka bërë të ditur se është “e gatshme për dialog” me presidentin e ri të Ukrainës, teksa rezultatet paraprake sugjerojnë se Petro Poroshenko do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve.

Gjithsesi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se veprimet e ushtrisë duhet të marrin fund kundër separatistëve në Lindje të vendit.

Poroshenko tha se do të takohej me liderët rus së shpejti, por u angazhua të ndjekë një linjë të ashpër ndaj separatistëve të armatosur.

Trazirat në lindje të vendit vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, teksa milicitë pro-ruse kanë ndalur fluturimet në aeroportin e Donjeckut. Të shtëna me armë zjarri janë raportuar gjithashtu atje, ku është parë edhe një re e dendur tymi e ngritur lart në qiell.

Lavrov tha në një konferencë për shtyp në Moskë se “jemi gati për dialog me përfaqësuesit e Kievit, me Petro Poroshenkon”.

Lavrov tha se ndërmjetësimi i BE-së dhe SHBA-ve nuk është i nevojshëm, por paralajmëroi Kievin se vazhdimi i operacioneve ushtarake kundër separatistëve do të përbënte një “gabim kolosal”.

“Ashtu siç tha edhe presidenti ynë Putin, do t’i trajtojmë rezultatet e shprehjes së vullnetit të popullit ukrainas me respekt”, tha Lavrov. Por, ai shtoi se Kievi duhet të respektojë gjithashtu popullin e vet dhe se dialogu me Lindjen është i domosdoshëm për të zgjidhur krizën.

Poroshenko tha se shpresonte të takohej me liderët rusë në fillim të muajit të ardhshëm, pas një udhëtimi në Poloni, ku do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe liderët e Bashkimit Europian. Gjithsesi, ai paralajmëroi se nuk do të tolerojë asnjë grup milicish të armatosur.

“Objektivi është të kthejnë Donbass-in si një Somali, por nuk do të lejoj askënd ta bëjë këtë gjë në shtetin tonë, ndaj shpresoj që Rusia të mbështesë vendimin tim”, tha Poroshenko. Ai theksoi gjithashtu se do të mbante në detyrë kryeministrin aktual, Arseniy Yatsenyuk, duke thënë se “nuk kam asnjë plan për të ndryshuar lidershipin e qeverisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB