
Marrëveshja që parashikonte lirimin e disa prej vajzave të rrëmbyera në Nigeri është anuluar papritur nga qeveria e këtij vendi.
Lajmin e bën të ditur BBC. Disa nga vajzat pritej të liroheshin në këmbim të lirimit nga burgu të militantëve islamikë, raporton i dërguari Will Ross.
Grupi Boko Haram rrëmbeu mbi 200 vajza nga një shkollë më 14 prill. Qeveria nigeriane ndodhen nën presion për të bërë më shumë për frenimin e aktiviteteve të grupit dhe për lirimin e vajzave.
Mijëra persona kanë vdekur që kur Boko Haram nisi një fushatë të dhunshme kundër qeverisë nigeriane në vitin 2009 dhe në fushatën e sigurisë që ndërmori shteti si kundërpërgjigje.
BBC ka mësuar se autoritetet kanë zhvilluar bisedime me grupin për të siguruar lirimin e nxënëseve të rrëmbyera. Një ndërmjetës u takua me liderët e Boko Haram më herët gjatë muajit dhe vizitoi vendin në veri-lindje të Nigerisë ku vajzat po mbahen peng.
Marrëveshja pothuajse u arrit për të liruar një pjesë të vajzave në këmbim të 100 anëtarëve të lëvizjes islamike që ndodhen në burg, raporton i dërguari Will Ross.
Por qeveria e anuloi paktin e planifikuar pak momente para se të bëhej shkëmbimi. Motivet e kësaj tërheqjeje janë ende të paqarta.
Top Channel