Ekstremistët fitojnë zgjedhjet

26/05/2014 00:00

Zgjedhjet për Parlamentin Europian ishin një test i pakapërcyer për socialistët në pushtet në Francë, ku triumfi i Frontit Nacional ishte i padiskutueshëm, ndërsa votuesit në mbarë Europën i janë kthyer ekstremistëve dhe partive anti-BE.

“Exit poll”-et e para tregojnë se partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen është më popullorja në vend, me 25% të votave, UMP-ja e qendrës së djathtë u rendit pas saj, me 21%,  ndërsa socialistët vijnë të tretët, me vetëm 14%.

“Dua të falënderoj sot popullin francez. Kishim të drejtë që besuam tek ai. Populli sovran i Francës foli fort dhe qartë, ashtu siç ka bërë në çdo moment tjetër të rëndësishëm të historisë së tij. Francezët kërkojnë një politikë të vetme, një politikë për popullin dhe me popullin. Nuk duan të drejtohen më nga jashtë, nuk duan të respektojnë më ligje, për të cilat nuk kanë votuar, e as t’i binden komisionerëve, që nuk i nënshtrohen legjitimitetit të së drejtës së votës universale”, tha Marine Le Pen, lidere e Frontit Nacional.

Kryeministri Manuel Valls dha, për këtë situatë, përcaktimin ndoshta më të goditur: fitoren e euroskeptikëve dhe, në përgjithësi, të partive të ekstremit të djathtë. Ai e quajti “një tërmet të vërtetë politik”, e kjo e shtyn në mendime.

“Ndodhemi përballë një momenti tepër serioz për Francën dhe për mbarë Europën. Po dëshmojmë një krizë të thellë besimi e një zemërim, që buron edhe nga vet mbështetësit e projektit europian. Për vite me radhë, Europa është konsideruar shumë e largët, e shumë e huaj kundrejt shqetësimeve tona të përditshme. Europa ka zhgënjyer dhe ky është fakt”, tha Manuel Valls, kryeministër i Francës.

Rezultatet paraprake tregojnë se euroskeptikët e UKIP-it në Britani, një parti kundër BE-së dhe anti-emigracion, kanë fituar bindshëm në zgjedhjet europiane. Nga 64 vende të deklaruara prej 73, që Anglia ka në Parlamentin Europian, UKIP ka fituar 23, duke u vendosur përpara Laburistëve të opozitës dhe përpara Konservatorëve të kryeministrit Cameron. Udhëheqësi i saj, Nigel Farage, e cilësoi këtë një fitore historike, e tha se partia e vet “ka futur dhelprën në kotecin e Parlamentit britanik”.

* Në Itali, Matteo Renzi i qendrës së majtë arriti të marrë 40%, duke shtyrë “Lëvizjen Pesë Yjet” të Beppe Grillo-s në vend të dytë me 22%, ndërsa “Forza Italia” në të tretin me 16%.

* Angela Merkel triumfoi sërish; Unioni i saj Kristian siguroi 35% të votave, por AFD-ja, që kërkon fundin e Euros, pati një shtysë të fuqishme me 7%, ndërsa mediat britanike shkruajnë se ka shenja për zgjedhjen e mundshme të një kandidati neo-nazist të NPD-së, hera e parë kjo në dekada të tëra, që ekstremi i djathtë fiton terren në vend.

* Në Greqi, rezultatet e pjesshme nuk lënë vend për dyshime: e para vjen Syriza, e ekstremit të majtë, me 26% të votave, pas saj “Demokracia e Re” e kryeministrit Antonis Samaras, me 23%, dhe me 9 përqindëshin e tij, “Agimi i Artë” do të marrë tre deputetë.

Parlamenti me 751 vende është trupi i vetëm i zgjedhur me votë popullore në Bashkimin Europian 28 anëtarësh. Pavarësisht dallgës së baticës së euroskeptikëve, partitë e mëdha pro-BE do të vazhdojnë të mbeten grupi qendror në Parlament.

PPE-ja parashikohet të sigurojë 211 vende, të cilat janë vërtet më pak se 274, që kishte deri tani, por konsiderohen të mjaftueshme për t’u shfaqur në vazhdimësi si blloku kryesor i legjislaturës europiane.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta