Egjipti voton për presidentin e ri

26/05/2014 00:00

Miliona votues u janë drejtuar kutive të votimit anembanë Egjiptit, për të zgjedhur presidentin e ri, për herë të dytë gjatë dy viteve të fundit.

Një operacion i madh sigurie është organizuar nga policia dhe ushtria, për shkak të frikës së sulmeve nga militantët, të cilët kërkojnë të prishin votimet.

Ish-shefi i ushtrisë, Abdul Fattah al-Sisi, i cili rrëzoi nga pushteti presidentin islamik Mohammed Morsi, vitin e kaluar, garon përballë kandidatit të krahut të majtë, Hamdeen Sabahi. Sisi pritet të fitojë bindshëm, me një marzh të lartë votash.

Zgjedhjet do të mbahen përgjatë dy ditëve, ndërsa rezultatet paraprake jo zyrtare priten të shpallen vetëm pak orë pasi të mbyllen kutitë.

Vetëm pak pas hapjes së qendrave të votimit, Sisi hodhi votën e tij në Heliopolis të Kajros, në mes të një turme të madhe reporterësh dhe vëzhguesish. “Egjiptianët po dalin të shkruajnë historinë e tyre dhe për të përcaktuar të ardhmen e tyre”, tha 59-vjeçari, i veshur me një kostum të errët dhe kravatë.

Sisi apelon ndaj egjiptianëve që dëshirojnë stabilitetin, pas shumë vitesh trazirash politike, se çdo gjë tjetër veçse një fitore të lehtë për të do të ishte shokuese.

Përqindja e pjesëmarrësve do të shihet si një tregues i forcës së miratimit ndaj kandidatit fitues. Në Kajro, votuesit zunë radhën për të hedhur votat e tyre rreth 1 orë përpara se të hapeshin qendrat e votimit, teksa helikopterët e ushtrisë fluturojnë gjatë gjithë kohës mbi kryeqytet.

Më shumë se 250 mijë anëtarë të forcave të sigurisë janë në gatishmëri nëpër qendrat e votimit në çdo cep të vendit, sipas Ministrisë së Brendshme.

Të dy kandidatët kanë premtuar se nuk do të ligjërojnë më Vllazërinë Muslimane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB