Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i është përgjigjur akuzave nga ana e Partisë Demokratike, duke thënë se historia duhet vlerësuar dhe se lufta antifashiste mbrojti Shqipërinë. Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë një ceremonie për shpalljen e deputetes Arta Dade, “Qytetare Nderi” të Përmentit.

“Ne nuk nxisim përdorimin e simboleve, të cilat mund t’i ndajnë qytetarët në festa dhe aktivitete të përbashkëta. Nuk kemi ndërmend t’i kushtojmë më shumë vëmendje se ç’meritojnë akte spontane, emocionale, individuale të qytetarëve të caktuar apo grupeve të caktuara. Për ne, Kongresi i Përmetit është një kongres historik dhe do mbetet i tillë, sepse ai ishte shkalla më e lartë e vendimeve që u morën, që nga Konferenca e Pezës, e cila hodhi themelet e LANÇ-it, pra të rezistencës kundër okupatorit, dhe Kongresi i Përmetit shpalli platformën e çlirimit të vendit dhe dihet se pa çlirimin e vendit nga partizanët, nga ushtria antifashiste nacional-çlirimtare, Shqipëria nuk do të ishte ajo që është sot. Pra pavarësia dhe integriteti territorial i saj do të ishin tërësisht të cënuar dhe të diskutueshëm. Ndaj ne jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Përmetit, ndërsa për problemet politike më pas, nuk ka përgjegjësi as Kongresi i Përmetit, as populli i Përmetit, as populli i Shqipërisë”, u shpreh kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.

Top Channel