
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, tregojnë fitues 48 vjeçarin Petro Poroshenkon, i njohur ndryshe edhe si “Mbreti i Çokollatës” sepse ka në pronësi të tij disa dyqane ëmbëlsirash.
Duke iu referuar Exit Poll, Poroshenko ka marrë mbi 55% të votave në raundin e parë të së dielës. Pas tij u rendit ish-kryeministrja Julia Timoshenko me një diferencë të madhe votash.
Manifesti politik i Poroshenkos është t’i japë më shumë autoritet rajoneve, me qëllimin për të qetësuar tensionet në lindje, por duke u zotuar në të njëjtën kohë ta ruajë Ukrainën si shtet.
Pas votimit ai u shpreh se “këto zgjedhje në Ukrainë, do të sjellin më në fund paqen, do të ndalojnë kaosin dhe do të ndalojnë terrorin bandit në Lindje”.
Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë 18 kandidatë. Separatistët pro-rusë pezulluan votimet në lindje. Asnjë qendër votimi nuk u hap në qytetin Donjeck, ndërsa në rajonin me këtë emër punuan vetëm 7 nga 12 komisione elektorale. Separatistët kontrollojnë pjesë të madhe të rajoneve në Donjeck dhe Luhanskut.
Më herët gjatë së dielës fotoreporteri Italian, 30 vjeçari Andrea Rokeli dhe përkthyesi i tij rus 60 vjecari Andrej Mironov u vranë në lindje të Ukrainës, ndërsa ndiqnin përleshjet mes forcave qeveritare dhe atyre pro-ruse.
Ministria e Jashtme italiane raportoi se Rokeli ishte vrarë në qytetin e Sllovianskut, një nga arenat e betejave të javëve të fundit.
Rebelet, siç raporton faqja online e gazetës “The Guardian”- thanë se “gazetarët u vunë në shenjestër nga trupat ukrainase, mbrëmjen e së shtunës, megjithatë pretendimi i tyre nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Në Kiev, ministria e Brendshme nuk dha detaje për ngjarjen.
Top Channel