SHBA, identifikohet autori i masakrës

25/05/2014 00:00

Policia e Santa Barbaras, në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, e cilësoi si “vrasje në masë” ekzekutimin e 6 personave nga 22-vjeçari Elliot Rodger, i cili u gjet i vetëvrarë në makinën e tij. Studenti është djali i prodhuesit të filmave Piter Rodger, asistent regjisor në filmin “The Hunger Games”.

Në një konferencë për shtyp, policia shpjegoi se ai kishte godiur për vdekje, me thikë, tre shokët e dhomës në apartamentin e tij. Më pas u nis me BMW-në e tij të zezë dhe qëlloi me armë në drejtim të tre vajzave, dy prej të cilave humbën jetën, ndërsa viktima e gjashtë u qëllua në një dyqan ushqimesh.

Shtatë persona u plagosën. Pasi shkëmbeu zjarr me policinë, Rodger u gjet i pajetë, me plagë arme në kokë, në makinën e tij të përplasur. Sherifi i Kontesë së Santa Barbaras tha se Elliot mund të ketë vrarë veten.

Hetuesit po hetojnë një video, ku 22-vjeçari i ulur në makinë thotë se “do të hakmerret kundër njerëzimit”. Në të ashtuquajturin manifesto të publikuar online, ai tregon se kishte lindur në Londër dhe kishte kaluar pesë vjet të jetës së tij në Sussex.

Autoritetet sekuestruan tre armë gjysmë automike, të gjitha ishin blerë në mënyrë të ligjshme. Avokati i familjes Rodger tha se 22-vjeçari vuante nga sindroma “Asperger”, një formë autizmi, që ndikon në mënyrën e shoqërizimit.

Familja u shpreh e dërrmuar nga ngjarja. Drejtuesit e Universitetit thanë se janë “të shokuar dhe hidhëruar nga vrasjet”. Ricardo Martinez, i ati i 20-vjeçarit Christopher, një prej viktimave, tha: “Kur do të përfundojë kjo çmenduri. Sa shumë kanë vdekur! Duhet t’i themi vetes mjaft më”.

Top Channel