
Ukrainasit po votojnë për të zgjedhur presidentin e ri, pas trazirave që përfshinë vendin me rrëzimin e ish-presidentit Viktor Yanukovych, në muajin Shkurt. Janë 18 kandidatë në këtë proces, që konsiderohet gjerësisht si momenti më i rëndësishëm për të bashkuar vendin.
Por, në lindje të vendit, separatistët pro-rusë, që kundërshtojnë zgjedhjet, kërcënuan se do të ndërpresin votimet. Të pakten 20 persona u vranë, pas përleshjeve mes kryengritësve dhe forcave qeveritare në ditet e fundit.
Dhuna në lindje, veçanërisht në Donjeck dhe Luhansk, ka penguar përgatitjet për procesin zgjedhor. Në rajonin e Donjeckut janë hapur shtatë qendra votimi, ndërsa në Luhansk, vetëm dy të tilla. Kandidati favorit në këto zgjedhje është Petro Poroshenko, i njohur si “mbreti i çokollatës”. Pas tij, në sondazhe renditet ish-kryeministrja Julia Timoshenko.
Për të siguruar fitoren, secili nga kandidatët duhet të fitojë më shumë se 50% të votave. Nëse nuk arrijnë këtë, do të këtë një raund të dytë më 15 Qershor. Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, në një fjalim televiziv të shtunën, i kërkoi popullit ukrainas të votojë dhe të mbrojnë Ukrainën.
“Kjo do të jetë shprehja e vullnetit të ukrainasve nga Perëndimi në Lindje, nga Veriu në Jug”, tha ai. Të premten, presidenti Vladimir Putin, në një lëvizje të beftë, tha se do të respektojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe se “është i përgatitur për të punuar me këdo, që do të zgjidhet president”.
Mbi 1000 vëzhgues të OSBE-së janë shpërndarë në qendrat e votimit në të gjithë vendin. Por, organizata ka tërhequr pjesën më të madhe të vëzhguesve nga rajoni lindor i Donjeckut. Separatistët në Donjeck dhe Luhansk shpallën Pavarësinë nga Ukraina, pas referendumeve më 11 Maj, gjë që nuk u njoh nga Kievi apo aleatët e tij perëndimorë.
Mbi 75 mijë policë dhe vullnetarë janë mobilizuar për të garantuar sigurinë. Qendrat e votimit do të qendrojnë të hapura deri në orën 20:00, me orën lokale (deri në 19:00 me orën tonë), ndërsa rezultatet përfundimtare priten të hënën.
Top Channel