Papa Françesk, thirrje për paqe

25/05/2014 00:00

Papa Françesk, gjatë vizitës së tij në Betlehem, në Bregun Perëndimor, bëri thirrje t’i jepet fund “konfliktit gjithnjë dhe më shumë të papranueshëm mes palestinezëve dhe izraelitëve”.

Ai foli për pasojat tragjike të konfliktit të gjatë dhe nevojën për të intensifikuar “përpjekjet dhe iniciativat, për të krijuar një paqe të qendrueshme të mbështetur në zgjidhjen me dy shtete”.

Ai u takua me udhëheqësin palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë turit 3-ditor në Lindjen e Mesme. Ai zhvilloi një meshë në qiell të hapur për 8000 të krishterët, pranë Kishës së Lindjes në Betlehem.

Gjatë rrugës për në sheshin “Manger”, përpara se të zhvillohej mesha, ai pa murin e lartë prej betoni, i ndërtuar nga Izraeli. Autoritetet e këtij vendi shpjegojnë se është ndërtuar për arsye sigurie, ndërsa për palestinezët është thjesht rrëmbim i tokës.

Qëllimi i udhëtimit të Papës në Tokën e Shenjtë është përmirësimi i marrëdhënieve me Kishën Ortodokse.

Pas kësaj ndalese, Ati i Shenjtë do të udhëtojë drejt Tel Avivit dhe Jeruzalemit, ku do të takohet me Bartolomeun e Parë, Patriarkun Ortodoks të Konstandinopojës. Në Jeruzalem, Papa do të kujtojë 50-vjetorin e një takimi historik mes udhëheqësve katolikë dhe ortodoksë, me qëllimin për t’i dhënë fund 900 viteve të ndarjes mes dy kishave.

Palestinezët shpresojnë që ardhja e Papës të jenë tregues mbështetjeje, disa javë pas pezullimit të bisedimeve të paqes. Zyrtarët palestinezë nënvizuan faktin se Papa Françesk është i pari Papë, që udhëton drejtpërdrejtë në Bregun Perendimor dhe jo në Izrael.

Shumë palestinezë e shohin këtë si “njohje të përpjekjes së tyre për të patur një shtet”. Turi i Atit të Shenjtë nisi të shtunën në Jordani. Të hënën, ai do të ndalojë në Xhaminë Al Aksa, e ndërtuar në Jeruzalemin e Vjetër, më pas do ndalet në Kubenë e Shkëmbit dhe Murin Perëndimor.

Papa Françesk është udhëheqësi i katërt i kishës katolike, që viziton Jeruzalemin, pas Papa Palit të Gjashtë, Gjon Palit të II dhe Benediktit të XVI, që shkoi atje në vitin 2009.

Top Channel