
Ka përfunduar Festivali i Filmit Mjedisor, ku kanë marrë pjesë më se 42 filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. Si një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, e që ka në qendër sensibilizimin dhe ruajtjen e mjedisit, autorët kanë qenë nga vende të ndryshme të botës: SHBA, Kanada, Brazil, Francë, Itali, Gjermani, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kroaci dhe Shqipëria.
Filmi fitues i çmimit të parë për pjesën e metrazhit të shkurtër, është prodhuar nga CII Bank Ëatch, ndërsa çmimi i dytë, filmi “Gjuhët” nga Zhani Terpini.
Filmi fitues me metrazh të gjatë ishte i realizuar nga Erjona Cami dhe Franciska Hetmansperger. Ndërkohë, një çmim special në këtë festival mori edhe reportazhi i ciklit “Shqipëria Tjetër” me autor Marin Memën, e që trajton çështjen e Lurës dhe shkatërrimin e këtij parku kombëtar. Dëmtimet që Lura ka pësuar në këto 24 vite dhe mungesën tërësore të vëmendjes për të ruajtur këtë zonë.
“Është shumë e rëndësishme që, me atë që pamë, ishim shumë të impresionuar nga prurjet e këtij aktiviteti. Nga festivali i parë në këtë të dytin ka shumë prurje të reja dhe kjo na bën që vitin tjetër ta marrim akoma më seriozisht, në sensin e futjes së punimeve edhe më të mëdha nga rajoni, por edhe nga Shqipëria. Ishin shumë dokumentarë ku spikaste kamera, pena dhe montazhi. Pa shumë komente do të jap dy çmime speciale në emër të jurisë: për Marin Memën për specialen nga Lura dhe për “Merimangën” nga Emilio Leka”, deklaroi Alket Islami.
Juria përbëhej nga Alket Islami, Francois Bezhaux nga delegacioni i BE-së, Ardiana Sokoli nga Ministria e Mjedisit, Sesha Trolli nga Kosova, Benua Felici nga Italia, Alizira Arenliua nga Kosova, Alvita Kabashi nga Shqipëria, Jozephin Hyde nga Gjermania.
Top Channel