
Në Bruksel janë shtuar masat e sigurisë përreth Muzeut Hebraik, ku një burrë i armatosur qëlloi dhe vrau tre persona. Ndërsa një i katërt është plagosur dhe aktualisht është në gjendje të rëndë. Një person, që u ndalua nga policia vetëm pak pas sulmit, u la i lirë; ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë. Policia ka nisur kërkimet për të zbuluar autorin e ngjarjes.
Dy prej viktimave ishin turistë izraelitë, një çift rreth të 50-ave. Zyra e Prokurorit të Belgjikës tha se viktimat janë qëlluar me plumba në fytyrë dhe qafë. Autori, që kishte parkuar makinën jashtë muzeut, qëlloi dhe u largua menjëherë.
Sulmi me armë ndodhi në orën 15:50 me orën lokale, në zonën e Sablonit në Bruksel, ku zhvillohej një festival Jazz-i. Kryebashkiaku i Brukselit, Yvan Mayeur, tha se “ndoshta ky është një sulm terrorist”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një deklararate me fjalë të forta, dënoi vrasjet, që – sipas tij – janë rezultat i nxitjes kundër hebraikëve dhe shtetit të tyre.
Në Belgjikë jeton një komunitet prej 42 mijë hebrenjsh, gjysma e të cilëve jetojnë në Bruksel. Ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders, një ndër të parët që mbërriti në vendngjarje, tha: “Nuk mund të mendosh se kur sheh një muze hebraik, ti mendon një akt anti-semit. Por, hetimet do të na tregojnë shkaqet”.
Kryeministri Elio Di Rupo tha se “do të mobilizohemi për të gjetur vrasësin”.
Top Channel