Papa Françesku vizitë në Lindjen e Mesme

24/05/2014 00:00

Papa Françesk e nis nga Jordania vizitën e tij treditore në Lindjen e Mesme, e cila do ta çojë edhe në Izrael e në territoret palestineze.

Ati i Shenjtë do të takohet me Mbretin Abdullah i dytë e do të kremtojë një meshë në stadiumin e Amanit, përpara se të presë refugjatët sirianë.

Zyrtarisht, qëllimi i një rrugëtimi të tillë është përmirësimi i marrëdhënieve me kishën ortodokse. Por, shumë presin, megjithatë, që Papa argjentinas të përdorë influencën e tij për qetësimin e tensioneve në rajon.

“Do të jetë një udhëtim sfidues, por shpërblyes”, ishin fjalët e Atit të Shenjtë në aeroport, teksa afrohej të takonte dhjetra gazetarët që e shoqëruan. Një grua tha për “Associated Press” se paraardhësi i Françeskut, Benedikti i 16-të, nuk ishte kthyer kurrë që të fliste me reporterët.

Ajo i kërkoi Papës të pozonin për një “selfie”, e ai pranoi me një buzëqeshje. Siç rrëfeu dhe vet, Jorge Bergoglio ka qenë vetëm një herë më parë në Jeruzalem, në 1973-shin, në kohën e luftës së Jom Kipurit.

Kreu i kishës katolike këmbëngul se ky udhëtim është i gjithi i lidhur me fenë, e kremton edhe 50-vjetorin e ndalesës së Papës Gjon Pali i dytë në rajon. Por, fakti që do të shkojë në Jeruzalem, për analistët, nuk e shmang dot sfondin politik, e do të duhen aftësi shumë të mira diplomatike për të larguar polemikat.

Palestinezët shpresojnë që Papa do të ketë diçka për t’iu thënë lidhur me dëshirën e hershme të një shteti të pavarur. Qeveria izraelite uron që ai të tregohet sa më asnjanës që të jetë e mundur, por një pozicion i tillë do t’i zhgënjente thellësisht palestinezët e krishterë.

Top Channel