
Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif pritet të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës së Narendra Modit si kryeministër i Indisë, që do të zhvillohet të hënën.
Kjo është hera që parë që kur dy vendet fituan pavarësinë në vitin 1947 që një kryeministër nga një prej dy shteteve do të ndjekë ceremoninë e tjetrit.
Dy rivalët e armatosur me pajisje bërthamore kanë zhvilluar tre luftëra në 60 vitet e fundit. Zoti Modi shihet si një zyrtar i rreptë përsa u përket çështjeve të sigurisë dhe partia e tij, BJO, ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj Pakistanit.
Por mediat komentojnë se fitorja e tij e madhe në zgjedhje i jep mandatin të ketë ndaj Pakistanit një qasje të re, që administrata e mëparshme nuk e kishte.
Marrëdhëniet dypalëshe u përkeqësuan tej mase nga sulmet e vitit 2008 në Mumbai, ku 166 persona mbetën të vrarë nga atentatorë pakistanezë.
Marrëdhëniet u përmirësuan gjatë qeverisjes së kryeministrit në ikje Manmohan Singh, por gjithësesi mbeten të tensionuara për shkak të kontestit kufitar për Kashmirin. Zoti Singh u ftua nga kryeministri Sharif në inaugurimin e tij vitin e kaluar, por nuk mori pjesë në ceremoni.
Zoti dhe Modi dhe zoti Sharif janë të dy politikanë konservatorë, që kanë lobuar pro-platformave të biznesit. Megjithatë, shumë pakistanezë e shohin Modin, një nacionalist hindu, me dyshim.
Top Channel