
Autoritetet kineze deklarojnë se kanë ndaluar një të dyshuar në lidhje me sulmin e së enjtes në një treg në lokalitetin Urumki, ku humbën jetën 39 persona.
Personi i dyshuar është ndaluar në jug të lokalitetit të sipërpërmendur. Katër bashkëpunëtorë të tij humbën jetën gjatë sulmit, që la edhe 90 persona të tjerë të plagosur.
Autoritetet kanë shpallur një fushatë njëvjeçare kundër dhunës së militantëve në provincën Xinjiang, ku jeton pakica e myslimanëve ujgurë.
Dy automjete iu vërsulën turmës në një treg në Urumki dhe hodhën lëndë eksplozive, ndërsa një nga automjetet shpërtheu në vendin e ngjarjes, në sulmin e së entjes.
Raportime të mëparshme flisnin për vdekjen e të pestë të dyshuarve gjatë sulmit. Ndërkohë, agjencia “Xinhua” citon një zyrtar policie që thotë se të dyshuarit merrnin pjesë në aktivitete fetare ilegale, ku shikonin dhe dëgjonin materiale për dhunën terroriste.
Provinca Xinjiang ka përjetuar një rritje të sulmeve me sfond etnik në vitet e fundit. Pekini zyrtar ka fajësuar për këto ngjarje separatistët ujgurë.
Mes këtyre sulmeve përfshihen ai i ndodhur në Pekin, ku një makinë vërshoi në një korsi këmbësorësh në sheshin Tiananmen duke vrarë pesë persona, si dhe disa të tjerë në stacionet hekurudhore të lokaliteteve Urumki dhe Kunming.
Autoritetet kineze deklarojnë se po financojnë rajonin e trazuar me qëllim stabilizimin e tij, por disa ujgurë pretendojnë se traditat dhe liritë e tyre po shkelen.
Top Channel