Shqiptarët zënë vendin e parë në qelitë greke, renditen në krye të listës së të burgosurve të huaj me numrin më të lartë Disa orë para zgjedhjeve të 25 majit për Parlamentin Evropian dhe raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Greqi, kreu i Entit të Sigurimeve Agrare ka deklaruar se prej 1 qershorit do të fillojnë të rimarrin pensionet e tyre minoritarët e moshuar nga Shqipëria, pensionet e të cilëve ishin ndërprerë në shkurt të vitit 2013.
Deklarata e tij është bërë në një prej televizioneve private të vendit, ku ai ka theksuar se kjo iniciativë i takon vetë kryeministrit Samaras.
Sipas zotit Ksenofon Vergini, bëhet fjalë për pensionet e 22 mijë të moshuarve minoritarë nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, që ishin ndërprerë pas votimit të ligjit afatmesëm në Parlamentin grek për reformat ekonomike të vendit.
Ky ligj përfshinte edhe ndryshimin e kritereve, duke e bërë thuajse të pamundur përfitimin e një pensioni minimal pasi parashikonte 20 vjet qëndrim në Greqi dhe të mos merrje pension në shtet tjetër.
Ndërkohë, nënkryetari i Omonias së Greqisë, Jorgos Xhumakas ka deklaruar për Top Channel se përshëndet iniciativën e kryeministrit Samaras, por mban rezerva deri sa ky premtim të realizohet, pasi nga ana juridike duhet që ligjin ta miratojë Parlamenti dhe të paktën deri në 1 qershor nuk do të zhvillohet asnjë seancë parlamentare.
Në 14 muajt e fundit janë dhënë disa herë premtime dhe deklarata për ripërfitimin e pensioneve nga minoritarët, por ende asgjë nuk është bërë dhe brenda komunitetit ekziston dyshimi se me deklaratën e fundit para zgjedhjeve, Demokracia e Re synon votën e të paktën 70 mijë minoritarëve që kanë marrë nënshtetësinë dhe mund të votojnë në zgjedhjet për PE dhe ato lokale.
Gjithësesi, sipas burimeve nga Enti i Sigurimeve Agrare, prej javës tjetër pritet të publikohet një deklaratë për shtyp përsa i përket proçedurave që do të ndiqen dhe kritereve që duhet të plotësojnë të interesuarit.
Top Channel