Lajmi i arratisjes së 3 ish-komandantëve të UÇK-së nga spitali në Prishtinë, deri në dorëzimin e tyre mbrëmjen e djeshme ishte një nga ngjarjet kryesore në Kosovë, si nga rëndësia ashtu edhe nga paqartësitë që e rrethuan atë.
Kjo situatë u krijua pasi munguan reagimet zyrtare. Mes 3 të arratisurve ishte edhe kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili është i akuzuar për krime lufte në atë që njihet si grupi i “Drenicës”. Mbi këtë çështje në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”foli avokati, Dastid Pallaska.
Pandi Gjata: Si e keni parë procesin që po zhvillohet për “Grupin e Drenicës”?
Dastid Pallaska: Unë mendoj që objekt diskutimi nuk duhet të ishin të pandehurit, por sjellja e shtetit apo mungesa e veprimit të tij. Ky rast ka nxjerrë në pah problemet në sitemin e drejtësisë, i cili siç po shihet nuk është funksional. Ky rast është pak i çuditshëm, pasi është rasti i vetëm në Kosovë ku kemi të bëjmë me një akuzë të rëndë për krime të luftës ku viktima është ende e paidentifikuar.
Pandi Gjata: Pse kjo çështje po zhvillohet në veri të Mitrovicës, ku ka gardianë dhe të burgosur në shumicë serbe apo jo?
Dastid Pallaska: Nuk është një çështje për debat, pasi kjo gjykatë ka kompetenca territoriale mbi vendin ku mendohej se janë kryer këto vepra penale. Por çështja që ka provokuar gjithë këtë skandal ishte vendimi i kryesuesit të trupit gjykues që urdhëroi mbajtjen e këtyre të paraburgosurve në një qendër paraburgimi në Mitrovicë, e cila kontrollohet dhe menaxhohet nga pjesëtarë serbë. Problemi i këtij vendimi ishte i dyfishtë, së pari ky vendim erdhi si pasojë e dështimit total të shërbimit korrektues të Kosovës. Shteti i Kosovës, Ministria e Drejtësisë, po ashtu edhe EULEX në pamundësi për t’i trajtuar këto probleme në kuadër të institucioneve të Kosovës vendosi që të paraburgosurit të transferohen në Mitrovicë. Ky vendim nuk erdhi pasi ajo qendër korrektuese kontrollohet nga pjesëtarët e një grupi etnik, të cilët së paku në sytë e EULEX shihen si një grup rival ndaj të pandehurve dhe në këtë mënyrë EULEX dhe shteti i Kosovës e njohu ekzistencën e strukturave jo formale. Ajo që është më shqetësuese, pas arratisjes së 3 të pandehurve dhe dështimi i institucioneve të Kosovës për të zbatuar urdhrin në mënyrë të dhunshme. Gjykata e EULEX-it hyri në negociata me të pandehurit dhe u vendos që vendimi fillestar i EULEX të kthehej mbrapsht. Kjo ngjarje e vë në pikëpyetje vlefshmërinë e vendimit të kësaj gjykate.
Pandi Gjata: Gjithsesi është një gjyq që do të vazhdojë dhe ndoshta mund të vërë edhe pikëpyetje për institucionet dhe shtetin e Kosovës apo jo?
Dastid Pallaska: E gjithë kjo ngjarje ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e sistemit tonë të drejtësisë dhe ka vënë në pah faktin që as qytetarët, por edhe ndërkombëtarët nuk kanë besim në këtë sistem drejtësie të cilin e kanë krijuar vetë.
Top Channel