
Fidel Castro, hipokriti që jeton si miliarder. Është hequr gjithmonë si njeri i thjeshtë, si njeri i popullit, por një libër i ri hedh dritë mbi atë çfarë fshihet pas jetës, në dukje modeste, të ish-liderit kuban: një hedonist i llastuar, me pasuri ndoshta po aq të mëdha, sa ajo e Mbretëreshës Elisabetë.
“El commandate”, siç e thërrasin vendasit, ka një ishull përrallor të quajtur “Caya Piedra”. Kjo parajsë tropikale me ujra qelibar, plazhe me rërë të bardhë, barriera të paprekura koralore, e një bimësi të harlisur, ndodhet në bregun jugor të Kubës.
Fidelit i pëlqen ta lërë atje jahtin e tij luksoz, “Aquarama II”, të zbukuruar brenda me lëkurë ngjyrë kremi dhe dru të rrallë angolian.
Në dispozicion të shefit është një ushtri e tërë shërbëtorësh, të cilet janë gjithë kohën gati me verën e bardhë të ftohte dhe frutat e detit, për çdo moment që mund të kërkohen nga Castro dhe miqtë e tij, që lexojnë, bëjnë zhytje, apo tentojnë për kënaqësi të kapin peshq.
Ndër të ftuarit e shquar të liderit kuban në vite përmenden gjiganti kolumbian i letrave, Gabriel Garcia Marquez, dhe eksploruesi i famshëm nënujor francez, Jacques Cousteau.
Fidel Alejandro Castro mori pushtetin në Kubë 55 vjet më parë, me grusht shteti, dhe sot, në moshën 87-vjeçare, “ky revolucionar i popullit” është tërhequr nga skena politike, pasi ia kaloi drejtimin e vendit të vëllait, Raul Castro, në 2008-n.
Fideli shpenzoi dekada të tëra për të kultivuar imazhin publik të një njeriu të thjeshtë e pa pretendime, që të vetmin ves kishte puron, por që përveç kësaj ishte thjesht një shërbyes modest i popullit, i përkushtuar ndaj mirëqenies së 11 milionë banorëve të Kubës, të zhytur në mjerim.
Por, libri 338 faqesh me kujtime, i titulluar “Jeta e fshehtë e Fidel Castro”, i publikuar në Francë nga Michel Lafon e i shkruar nga ish-truproja e diktatorit, Juan Reinaldo Sanchez, tregon një Castro të errësuar nga dëshira për pushtet e parà, një tablo krejt tjetër nga ajo që ish-lideri kuban është munduar t’i paraqesë botës.
Top Channel