Bruksel, sulm ndaj muzeut hebraik, 3 viktima

24/05/2014 00:00

Një person i armatosur ka qëlluar për vdekje dy burra dhe një grua, në një Muze Hebrenjsh në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel. Një person i katërt është plagosur rëndë, bëjnë të ditur shërbimet e emergjencave.

Agresori mbërriti me makinë, zbriti prej saj, qëlloi ndaj njerëzve në hyrjen e muzeut, e më pas u rikthye në mjetin e tij për t’u larguar me shpejtësi, raportojnë mediat belge.

Një person është arrestuar, ndërsa policia ka nisur kërkimet për një të dytë, thanë zyrtarët. Siguria është rritur ndjeshëm në vendet hebreje anembanë Belgjikës.

Kryeministri Elio Di Rupo tha se shtetasit belg “janë të bashkuar dhe shfaqin solidaritet përpara këtij sulmi të urryeshëm ndaj një institucioni të kulturës hebraike”.

Zëdhënësja e Prokurorit Publik belg, Ine Van Wymersch, tha në një konferencë për shtyp se një i dyshuar është arrestuar, i fshehur në makinën e tij, edhe pse nuk ka asnjë lidhje të provuar me sulmin në fjalë. Një tjetër i dyshuar është shpallur në kërkim, i cili mendohet të jetë larguar në këmbë, shtoi ajo.

Top Channel