A ngulet gozhda ashtu?

24/05/2014 00:00

Nga Sokol Shameti – “Nuk kemi opozitë” është sot motoja e vetëkënaqur me të cilën propagandistët proqeveritarë fshikullojnë të djathtët që rreken të konfirmohen si opozitë. “Nuk kemi opozitë”, i bën like vetes pa e fshehur libidon kryetari i Partisë Socialiste në pauzën midis dy batutave banale me Flamur Nokën dhe Jozefinën në Kuvend. Dhe – surreale ta thuash, por ka të drejtë.

Nuk ka opozitë sot Partia Socialiste në pushtet për një arsye të thjeshtë. Partia Demokratike e djathtë mund të ofrojë vetëm një këndvështrim të djathtë të gjërave, por PS-ja është e mbrojtur nga ajo anë. Këtë qeveri nuk mund ta kritikosh dot nisur nga pozita të djathta. Kjo, thjesht s’është e mundur, pasi s’ke ç’t’i kritikosh asaj djathtas. Sot, PS-ja po e zbaton djathtizmin më me virtuozitet se PD-ja vaktit.

Siç shihet edhe nga dështimet e turpshme të përpjekjeve për trashje artificiale zëri të Lulit ndër mitingje me parulla e kolonë zanore heroike, kritikat e vetme që PD-ja është në gjendje t’i bëjë sot Partisë Socialiste mund të lexohen thjesht si “për procedurë”. Pse droga transportohet me avionë dhe jo me ndonjë mjet transporti allaturka? Pse PS-ja është kaq e paaftë të fshehë mashtrimin e parealizueshëm për punësimin e 300 mijë spartanëve? Pse ajo u ndezi orekse njerëzve për shëndetësi apo legalizime falas, vetëm e vetëm për të marrë një karrige të përkohshme administratori në krye të qeverisë? Po sikur nesër njerëzit ta kërkojnë me tërë mend këtë gjë? Ç’do të bëhet me spitalet private dhe depot e mëdha farmaceutike të grosistëve medicinalë?

Me fjalë të tjera, kritika e vetme është ajo e paaftësisë për të realizuar siç duhet djathtizmin (të cilin këtu te ne e zëvendësojnë rëndom me termin “shtet demokratik”). Dhe ky shtet demokratik këtu te ne ka fytyrën e dorëheqjes së shtetit nga puna e vet – mbrojtja e interesit të së tërës përballë agresionit të së veçantës, personales, individualistes.

Vini re sesi, për shembull, PD-ja s’ka asnjë problem thelbësor me mënyrën e taksimit të të pasurve që mbetën të paprekur nga pseudoprogresiviteti socialist. Shikoni sesi PD-ja nuk proteston për premtimin e pambajtur socialist të drejtësisë për 21 janarin, ku viktimat ishin popull dhe ku politika ishte, siç e pranoi vetë Rama: ndjekëse kokulur e kauzës së popullit. Përmes heshtjes së saj aprovuese, PD-ja duket solidare, gjithashtu edhe me draftin socialist të reformës së arsimit të lartë. Si ta kritikosh një reformë të djathtë, ku supermarketet private të diplomave universitare do të përfitojnë përveç tarifave të kripura të klientë-studentëve të vet, edhe para nga xhepi yt që je shkolluar a po shkollohesh në mizerabilitetin e qëllimshëm të universitetit publik?

Edhe pse e kamufluar si një sukses i përmasave kontinentale, reforma e pensioneve që ka nuanca protofashizmi në përmbajtjen e vet, nuk provokon asnjë lloj revolte te PD-ja, e cila, as ajo vetë s’do të guxonte dot ta realizonte atë. Çdo vend tjetër i Europës do të ishte gdhirë me barrikada në rrugë, nëse dikujt do t’i shkonte ndër mend të hartonte një “reformë” si kjo e Veliajt, që synon t’i shfrytëzojë shqiptarët e paktë që kanë një punë deri sa t’i lënë forcat, e pa të shijojnë ndonjë pension po aq mizerabël sa edhe ky që kanë aktualisht.

Shkurtimisht, PD-ja është sot dakord dhe gjen veten në shumicën e veprave domethënëse dhe strukturale të socialistëve në pushtet. Pakënaqësitë e saj të vetme ngjajnë me një batutë të famshme filmash shqiptarë: “Pse, ashtu ngulet gozhda more karafil?” Falë kinematografisë, batuta pasardhëse në një spirale të pandalshme banaliteti të dyanshëm, dihet.

Por cilat janë, nga ana tjetër, akuzat procedurale me të cilat PD-ja synon të kthehet në një agjent revolucionar që mobilizon masat e abuzuara prej 22 vjetësh të shqiptarëve që besuan te sistemi kapitalist? Pse kultivohet drogë e pse ajo trafikohet me çdo mjet të shpikur nga gjenia e mendjes njerëzore? Përgjigjja për këtë pyetje, të cilën s’duan ta dëgjojnë e as ta shqiptojnë të dyja palët, është dëshmia e falimentimit të të dyjave: sepse kultivuesit e drogës, si atëherë edhe tani, janë thjesht njerëz të lënë në mes të rrugës në furinë shoviniste të një sistemi, ku i papuni dhe i papunësueshmi janë zyrtarisht inekzistentë, jonjerëz, të vdekur që marrin frymë pa dashje. Punësimi i është lënë në dorë tregut, panairit të shitblerjes së skllevërve me çmim të lirë. Për të kënaqur këtë treg, ata të papunët, këtë punë kanë gjetur – të kultivojnë drogë e të mundohen t’ia hedhin shtetit.

Shteti nuk mund të bëjë njëkohësisht dy gjëra: edhe t’ia dorëzojë përgjegjësinë për jetën e qytetarëve informalitetit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të tentojë ta kufizojë këtë informalitet pa ofruar ndërkohë asnjë rrugëdalje. Por sigurisht Partia e djathtë Demokratike nuk e akuzon PS-në për mbajtjen në këmbë të këtij sistemi që i kthen bujqit në narkotrafikantë. Ankesa e saj është pse institucionet represive nuk janë në gjendje të shtypin anomalinë që prodhon vetë sistemi. PS-ja e di që është e pakritikueshme në këtë drejtim, prandaj edhe thotë që s’ka opozitë.

Pamundësinë komike të PD-së për të kritikuar seriozisht PS-në, vetë kjo e fundit po e shfrytëzon me ngazëllim të shumëpritur deri në pikën e fundit. Ajo tallet e zbavitet me përpëlitjen e kundërshtarit të vet për të gjeneruar një kauzë, sepse e di që një kauzë e tillë s’mund të fabrikohet dot nga një strukturë si PD-ja e djathtë. PD-ja, që është krejt e ngjashme strukturalisht me PS-në, një e majtë në emër dhe e djathtë në realitet. Me një fjalë, PS-ja njeh limitet dhe përvojën e vetes dhe për këtë arsye njeh edhe pamundësinë e PD-së për të bërë të pabëshmen – atë që është jashtë takatit dhe fuqisë së saj argumentuese.

E gjitha kjo që ndodh është një déjà vu e asaj që ngjante më 2005-n. Edhe atëherë mazhoranca e re refuzonte ta njihte për opozitë rishtarin Rama që sapo ishte ulur mbi fronin e një PS-je të dalë nga rrënojat e disfatës elektorale. Edhe atëherë “nuk kemi opozitë”, thërrisnin krenarë pushtetarët e rinj me asistentët e tyre intelektualë të pavarur. Si tani, edhe në atë kohë, e djathta s’mund të kritikohej nga e djathta. Vetëm pas një serie skandalesh e incidentesh konsumuese nisi të ngjisë më në fund retorika e socialistëve mbi pushtetin e harxhuar të Saliut, të cilit po i vdisnin njerëz bujshëm në Gërdec e bulevard, dhe jo ashtu siç e do rregullorja e sistemit: pa zhurmë, në uri, sëmundje dhe anonimat.

Ngjashmëria dhe këndvështrimi i njëjtë mbi gjërat mes PD-së dhe PS-së të vendosura në situata të ngjashme, duket edhe te sloganet. “Rama ik në shtëpi!” është krejtësisht e ngjashme me thirrjen socialiste për nxjerrjen e Berishës në pension. Shtëpia dhe pensioni janë shembulli se si të dyja palët kanë një mirëkuptim dashamirës për dështimin e njëra-tjetrës. Ato vërtet aktrojnë me zemërim e frazeologji dramatike përpara masave. Megjithatë, dasia midis palëve nuk është aq fatale saqë opsioni i ndëshkimit që ata kërkojnë për tjetrin midis tyre të jetë burgu a drejtësia. “Gabimet” që PS-ja dhe PD-ja i njohin njëra-tjetrës, nuk konsiderohen të pafalshme. Drejtësia e vetme që ato propozojnë është hapja e krahut që radhën për ta rrotulluar çikrikun shtypës të sistemit ta marrë shoferi tjetër, i cili do të ofrojë një stil tjetër rrotullimi. Sigurisht çikriku do të mbetet po ai. Edhe të shtypurit prej tij, po ata.

Në fund, historia e re politike shqiptare i ka dhënë në mënyrë elokuente mësimet e saj. Sado dëshpërueshëm të mundohen propagandistët e partive, nuk ka kauza partiake që janë në gjendje të kërcënojnë stabilimentin qeveritar në Shqipëri. Ato thjesht nuk janë më në gjendje të frymëzojnë dhe mobilizojnë askënd. Kauzat e vetme që i lëkundin themelet sistemit, duke e detyruar atë ose të kalojë në agresivitet ose të legenizohet në fjalime qaramane publike, janë ato ku frenat i merr në dorë vetë populli. 21 janari apo protestat kundër armëve kimike janë modeli i vetëm ku shfaqet vullneti i shqiptarëve i pakontaminuar nga partitë apo ku partitë janë të izoluara në periferi. Në të dyja këto raste, partitë politike kanë ndjekur vorteksin kryengritës të popullit si hiena që presin të bjerë në tokë preja e luanit, për të brejtur ç’të mundin nga cofëtina e rrëzuar. Në raste si këto, ato s’mund të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjekin si spektatore përgjakjen e popullit nga kullat e biznesit ose ta gjejnë veten të përzënë me fishkëllima nga sheshi.

Ja përse protestat dhe grevat false të partiakëve do të vazhdojnë të përfundojnë me dështim në këtë shoqëri të zhgënjyer e të kapur për prapanice nga të gjithë. Ja pse partitë politike thjesht do të vazhdojnë të defaktorizohen e të parazitojnë duke shpresuar për një momentum kur do të mund t’i vënë logon e tyre pakënaqësisë së njerëzve. Duke u lutur ndërkohë në heshtje, që kur ai moment të vijë, zemërata popullore të kursejë shembjen e sistemit, i cili tash 22 vjet strukturon jetën tonë, por të rifreskojë thjesht emrat e zbatuesve të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA